
Dokumentari për Gazën nga Brad Pitt tërheq vëmendjen e Festivalit të Venecias
Një dokumentar dramë i bashkëprodhuar nga Brad Pitt dhe Joaquin Phoenix për një vajzë palestineze të vrarë në Rripin e Gazës ka tërhequr vëmendjen në Festivalin e Filmit në Venecia.
Filmi dokumentar “Zëri i Hind Rajab”, nga regjisori tunizian Kaouther Ben Hania, është pjesë e konkursit dhe ishte planifikuar të shfaqej sot premierë.
Ai rrëfen momentet e fundit të jetës së vajzës palestineze Hind Rajab në Rripin e Gazës.
Ajo vdiq në janar 2024 ndërsa familja e saj po përpiqej të ikte.
Filmi, në përputhje me disa hetime të pavarura, sugjeron se ajo dhe anëtarët e familjes së saj u vranë nga forcat izraelite.
Ushtria izraelite mohon kryerjen e sulmit dhe tha se nuk kishte trupa në terren në atë kohë.
Elementi qendror i filmit është një regjistrim i vërtetë telefonik.
Ndërsa vajza ishte bllokuar në makinën tashmë të qëlluar midis anëtarëve të familjes së saj të vdekur, ajo kaloi rreth tre orë në telefon me vullnetarë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, duke u lutur për ndihmë.
Punonjësit e shpëtimit, të cilët u nisën pas orësh koordinimi, u vranë vetë gjatë rrugës.
Hind u gjet e vdekur 12 ditë më vonë, së bashku me familjen e saj dhe ndihmësit mjekësorë.
Shfaqja e filmit “The Voice of Hind Rajab” do të pasohet nga premiera e filmit “In The Hand of Dante”, një thriller historik kriminal nga regjisori hebreo-amerikan Julian Schnabel.
Dy nga yjet e tij, Gal Gadot nga Izraeli dhe Gerard Butler nga BM, u kritikuan nga aktivistët pro palestinezë para fillimit të festivalit për mbështetjen e tyre ndaj Izraelit./atsh