
80-vjetori i gazetës “Rilindja”, lëshohen në qarkullim pullat e reja postare
Posta e Kosovës ka njoftuar se sot ka vënë në qarkullim emisionin e ri të pullave postare e që është në nderim të 80-vjetorit të gazetës “Rilindja”.
Sipas njoftimit, ky emision i pullave postare u kushtohet gjithë kontributdhënësve të kësaj gazete, e cila ishte tejet e rëndësishme për vendin, shkruan Zeri.info.
“Kontributi i gazetës ‘Rilindja’ nuk kufizohet vetëm në fushën e informacionit, pasi që nga viti 1946, bëhet bartëse e aksioneve të shumta për zhdukjen e analfabetizmit dhe të fushatave për arsimimin e gruas. Me bartjen e shtypshkronjës në Prishtinë në vitin 1958, rritet edhe numri i botimeve, kur gradualisht ‘Rilindja’ shndërrohet në gazetë ditore.
Në periudhën e territ informativ të vitit ’90, si rezultat i masave të dhunshme, më 8 gusht 1990 u ndalua publikimi i gazetës ‘Rilindja’. Megjithatë, më 18 janar 1991, punonjësit e uzurpuar arritën që të vazhdojnë informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar përmes përdorimit të emërtimit të gazetës ‘Bujku’.
Kontributi i jashtëzakonshëm i të gjithë gazetarëve, redaktorëve dhe punonjësve entuziast për tejkalimin e sfidave në mënyrë që gazeta ‘Rilindja’ të arrijë në duart e lexuesve, ka qenë dhe mbetet vlerë e paçmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, si dhe të promovimit të vlerave të lirisë e demokracisë.
Ky shënim jubilar le të shërbejë për të reflektuar mbi rolin dhe ndikimin e gazetës ‘Rilindja’, si forcë, motivim dhe shtysë për të vijuar misionin e saj fisnik në të ardhmen”, thuhet në njoftim. /Zëri