Në bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” mbahet “Ora e Shkrimtarit” me Ibrahim Kadriun
“Ora e Shkrimtarit” me Ibrahim Kadriun, e cila u mbajt të mërkurën, më 16 tetor 2024, në bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan, ishte një aktivitet i rrallë kulturor, me pjesëmarrje të shkrimtarëve, miqve, bashkëpunëtorëve, lexuesve të shumtë të shkrimtarit.
Në hollin e Bibliotekës, para derës të sallës së promovimeve, në rafte të bukura ishin vendosur pothuajse të gjitha veprat e Ibrahim Kadriut, të cilat krijonin një pamje të mrekullueshme për lexuesin e tyre dhe për vizitorët, por edhe një ndjenjë të veçantë dhe të paharruar për shkrimtarin, i cili e kishte kontaktin e parë me veprat e tij të ekspozuara në atë mënyrë.
Në fillim të fjalës së tij, poeti dhe studiuesi Sali Bashota, foli në pika të shkurtra për veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut, duke vlerësuar poezinë, prozën, publicistikën e tij brenda një periudhe të gjatë kohore. Në mënyrë të veçantë përmendi kontributin e Ibrahim Kadriut në fushën e romanit, sidomos përkushtimin e tij në trajtimin e temave të ndryshme, duke e dalluar edhe vlerën letrare dhe estetike të romaneve të tij.
Prozatori dhe përkthyesi, Binak Kelmendi, foli për jetëshkrimin e autorit, duke thënë “se veprat e Ibrahim Kadriut, në mesin e tyre mbi njëzet vepra, janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme: frëngjisht, anglisht, italisht, suedisht, greqisht, turqisht, arabisht etj., ndërkaq romani më popullarizuar është “Misioni rus”, i cili është përkthyer frëngjisht, turqisht dhe kroatisht”.
Më tutje Kelmendi, tha se Ibrahim Kadriu “është i përfshirë mbi njëzet antologji të ndryshme dhe është nderuar me shumë çmime letrare, në mesin e të cilave edhe me çmimin “Romancier i vitit” për romanin “Pjella e dreqit” nga PEN Qendra e Shqipërisë, roman ky i cili është nderuar edhe me çmimin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, e cila e ka nderuar shkrimtarin edhe me çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli”.
Në fjalën e tij, Ibrahim Kadriu, shpalosi kujtime dhe përjetime, duke përfshirë një periudhë të gjatë kohore nga fillimet e krijimtarisë së tij letrare deri më sot, me ç’rast në mënyrë të veçantë i përmendi veprat e tij : “Kalorësi i Karadakut”, “Ethet e një dimri”, “Misioni rus”, “Varri i shitur në Damask” “Kapërcimi i ujit të madh”, pastaj veprat që trajtojnë aktualitetin real: “Kroi i ilaçit”, “Në Vajhall”, “Të vdekurit e gjallë”, “Ata dy të burgjeve” , “Vese në peshojë” etj., duke konstatuar
se “qasja në formën e pyetjes është interesante, sepse kërkohet përgjigjja në vetën e parë, një pyetje për zbërthim të dilemës rreth përkushtimit të shkrimit letrar pse shkruaj? Duke i dhënë vetes detyrë të përgjigjem, jam i vetëdijshëm se kjo pyetje edhe pse në esencë është e thjeshtë, synon për një përgjigje të ndërlikuar për të ardhur deri te saktësia e saj reale. Kur para dëshirës për kuptimin e një veprimi zë vend pse-ja, përgjigjja mbështetet në momentin e rrumbullakimit të një ideje që cilëson vlerë letrare e cila vjen si shprehje artistike, si formulim me nuanca adekuate arti që dallojnë nga shprehjet e zakonshme”.
Në vijim të paraqitjes së tij, në esenë “Si e shkruaj romanin”, Kadriu tha se “shkruaj sepse ndiej kënaqësi kur investoj mund për formimin e galerisë të personazheve që më rrinë gatitu dhe presin t’i sistemoj sipas karaktereve. Për ato karaktere unë jam Zot, derisa i fus nëpër situata dhe operoj me ta siç dua vetë; i shtyj andej-këndej, i bëj trima, por edhe idiotë. Askujt nuk i jap përgjegjësi. Veproj me ata siç dua vetë pa qenë i shtyrë nga ndonjë tutor. Ata, pra, personazhet, më japin vullnet, por ndodh edhe të më shqetësojnë e, nganjëherë, edhe më lëndojnë shpirtërisht, atëherë kur vjen në shprehje situata dramatike, siç ka ndodh në realitet, kur e kam zbërthyer një fragment romani”.
Gjithashtu, Ibrahim Kadriu foli edhe për procesin krijues të veprave të tij me poezi, duke thënë se ”Unë shkruaj poezi, sepse e konsideroj si mjet të fuqishëm të shprehjes. Meqë poezisë i jap rëndësi, sepse bazohem në atë mendimin se poezia mund të trajtojë tema të ndryshme, nga dashuria dhe humbja, deri te politika dhe natyra, duke u bërë pasqyrë e shpirtit njerëzor, në aso pasqyre ku mund të shikojnë ose ndiejnë, edhe të tjerët të cilëve iu referohet poezia, domethënë lexuesve të sinqertë dhe të vërtetë. Shkruaj poezi, sepse ajo është një lloj forme e protestës dhe kritikës sociale”.
Në një atmosferë mjaft të përzemërt, shkrimtari Ibrahim Kadriu, iu përgjigj pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve, në mesin e tyre, Izet Kallaba, Sarë Gjergji, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Qazim Azizi, Mehmedali Rexhepi, Lirije Osmani, etj., pyetje që ishin të ndërlidhura kryesisht me krijimtarinë tij, pastaj edhe me ambientin e Karadakut, personazhet reale, për formën e të shkruarit të reportazheve, kujtimet për shkrimtarët dhe miqtë e tij të penës etj.
Projekti “Ora e Shkrimtarit” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. /kultplus