Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe ajo shtetërore e Gjermanisë thellojnë bashkëpunimin
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, është takuar në Berlin me drejtorin e Evropës Lindore të Bibliotekës Shtetërore të Berlinit, Olaf Hamann, dhe me udhëheqësin e Departamentit të Evropës Juglindore, Ivo Ulrich. Në takim ishte i pranishëm edhe Christian Voss, drejtor i Institutit të Studimeve Sllave dhe Hungareze në Universitetin Humboldt.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në një njoftim në rrjetin social ka thënë se në takimin e mbajtur në Berlin ata diskutuan për fillimin e bashkëpunimit në mes të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Shtetërore të Berlinit, me fokus në projekte të përbashkëta, shkëmbime dhe tema me interes të përbashkët.
“Olaf Hamman tha se Biblioteka Shtetërore e Berlinit është e interesuar ta pasurojë fondin e vet me librat që botohet në Kosovë, me interes të veçantë nga shkencat humane”, thuhet në njoftim.
Drejtoresha e BKK-së, Rogova-Gaxha, foli për rëndësinë e lidhjes së partneritetit ndërmjet bibliotekës që udhëheq dhe Bibliotekës Shtetërore të Berlinit, për shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen në procesin e transformimit digjital. Me këtë rast, prof. Christian Voss nga Universiteti Humboldt i Berlinit foli për nevojën e qasjes në librat e botuar në Kosovë dhe për mungesën e tyre në këtë institucion.
Ivo Ulrich, përgjegjës për Evropën Juglindore në Bibliotekën e Berlinit, tha se jemi entuziastë për mundësinë e bashkëpunimit dhe se vizita juaj do të jetë një hap i rëndësishëm për fillimin e bashkëpunimit në të ardhmen në interes të të dy palëve.
Biblioteka Shtetërore e Berlinit – Trashëgimia Kulturore Prusiane është biblioteka më e madhe shkencore në Gjermani dhe furnizuesja qendrore e literaturës kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga themelimi i bibliotekës në vitin 1661 janë grumbulluar më shumë se 11 milionë vëllime të materialit të shtypur. Koleksionet përfshijnë mbi 2.2 milionë vepra shtesë të shtypura, materiale të tjera unike dhe koleksione të veçanta: dorëshkrime perëndimore dhe orientale, autografe muzikore, depozita, koleksione personale, harta dhe gazeta historike.