Dr. Naim Berisha zgjidhet u.d. i drejtorit të Institutit Albanalogjik
Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik në Prishtinë, në mbledhjen e sotme ka zgjedhur dr. Naim Berishën ushtrues detyre të drejtorit të këtij instituti.
Në njoftimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës thuhet se në mbledhjen e mbajtur më 20 shtator 2024, pas propozimit të Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues ka zgjedhur prof. asoc. dr. Naim Berishën u.d. të drejtorit të Institutit Albanologjik.
“Dr. Naim Berisha është bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë nga viti 2008, në Degën e Gjuhësisë. Gjatë kësaj periudhe kohore ka kryer disa detyra: Shef i Degë së Gjuhësisë (1.9.2019 -1.9.2023); Anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik (1.11.2019 – 31.10.2023); Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik 2016-vijon; Anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (që nga 21 shkurt 2020); Anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime Albanologjike” (numrat 49, 50, 51, 52); Anëtar i Këshillit Kombëtar Shkencor i Projektit “Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri (2020-2021); Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Përgjegjës për kartotekën e leksikut në Kosovë; Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Hartues. Fushat e tij të studimit janë: leksikologjia, leksikografia, dialektologjia, sociolinguistika, kultura e gjuhës etj”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ai ka qenë i angazhuar si asistent dhe ligjërues në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit. Veprimtaria e tij shkencore dhe arsimore numëron 7 libra të botuar (botime shkencore, tekste shkollore); 75 njësi bibliografike – studime, trajtesa, artikuj, recensione etj.