Përplasje mes Ramës dhe LVV-së së Prishtinës për masterplanin e kompleksit memorial “Adem Jashari”
Një përplasje e ashpër ka shpërthyer mes Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, lidhur me Masterplanin e Kompleksit Memorial Adem Jashari.
Përparim Rama përmes Facebook-ut shprehu lumturinë për përzgjedhjen e Masterplanit të këtij kompleksi, duke theksuar rëndësinë e projektit dhe vlerën e tij prej rreth tetë milionë eurosh.
“Jam tejet i lumtur për përzgjedhjen e Masterplanit të Kompleksit Memorial Adem Jashari. Më në fund, Prekazi do të bëhet me një kompleks memorial siç duhet, për çka uroj familjen Jashari dhe gjithë qytetarët. Për këtë Masterplan, siç u raportua, dy kompani ndërkombëtare do të paguhen rreth tetë ( milion Euro, që është vlerë reale për një detyrë të nivelit të tillë profesional, dhe nëse ka një projekt ku nuk duhet kursyer para është ky kompleks”, ka shkruar Rama.
Ai vuri në dukje se investimi në një projekt të tillë është i justifikueshëm dhe akuzoi Vetëvendosjen për hipokrizi, duke e krahasuar atë me reagimet për shpenzimet e larta në projektin “Arkitekti i Kryeqytetit.”
“E vetmja gjë shqetësuese në gjithë këtë punë është hipokrizia e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në veçanti Dega në Prishtinë, të cilët ankohen pandal se shuma prej 12 milion Euro për Arkitektin e Kryeqytetit për dhjetëra projekte është shumë e lartë”.
“Vetëm deri tani, Arkitekti i Kryeqytetit ka përfunduar ose është në finalizim të rreth 35 projekteve, shumë prej tyre projekte të kompleksitetit të lartë arkitektonik, dhe për këtë është paguar rreth katër (4) million Euro. Një prej këtyre projekteve në finalizim është edhe Sheshi Adem Jashari në Kryeqytet”, shkroi tutje ai.
Në kundërpërgjigje, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë e cilësoi postimin e Ramës si skandaloz dhe të ulët.
“Përveç se skandaloz, është për keqardhje dhe shumë i ulët, krahasimi që z.Rama është munduar ta bëjë në mes të projektit Master Plani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe projektit korruptiv e të orkestruar “Arkitekti i Kryeqytetit”. Në një postim sot, z.Rama ngriti një paralele tërësisht të paqëndrueshme dhe të pasaktë. Si arkitekt, ai e di fort mirë që Master Plani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe kontrata e tij për “Arkitektin e Kryeqytetit” teknikisht, profesionalisht, përmbajtësisht, ligjërisht e parimisht janë të pakrahasueshëm”, ka reaguar LVV.
Ata e akuzuan Ramën për përpjekje të krahasimit të padrejtë dhe të pasaktë midis Masterplanit të Kompleksit Memorial dhe projektit të diskutueshëm “Arkitekti i Kryeqytetit,” të cilin e cilësuan si një kontratë korruptive.
“Atij nuk i bëhet vonë që shkel edhe etikën profesionale, ashtu siç nuk ka lënë gur pa lëvizur deri më tani në tentativat e tij për ta kamufluar kontratën e tij personale 12 milionëshe. Në këtë drejtim dhe për këtë qëllim, Përparim Rama, nuk e kursen as Adem Jasharin në përpjekjet e tij dëshpëruese për t’i mbuluar keqpërdorimet tashmë të faktuara të “Arkitektit të Kryeqytetit””.
Sipas tyre, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” përfaqëson identitetin kombëtar të Kosovës dhe është një projekt që mbart një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.
“Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është adresa e historisë së Kosovës, është identiteti ynë kombëtar e shtetëror. Përmes këtij memoriali, para botës, do të paraqitet në mënyrë dinjitoze dhe në nivel të lartë artistik lufta për liri e çlirim e familjes Jashari, e komandantit Adem Jashari, si dhe e gjithë popullit tonë”.
“Master Plani i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” nuk është një projekt i vetëm, por përmban 21 projekte të veçanta, nga ato në fushën e projektimit të arkitekturës dhe inxhinierisë, të konservimit, planifikimit hapësinor, kurimit e muzealizimit, e shumë të tjera”.
Në reagimin e tyre, Vetëvendosje theksoi se krahasimi i Ramës është përpjekje për të fshehur skandalet dhe keqpërdorimet e buxhetit në projektin “Arkitekti i Kryeqytetit,” duke e përdorur Kompleksin Memorial për të justifikuar veprimet e tij.
“Të bëhet krahasimi i projektit më të rëndësishem arkitektonik në historinë e Kosovës, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, me projektin më të përfolur e diskutuar për paligjshmëri e korrupsion në histori të Prishtinës, “Arkitekti i Kryeqytetit”, – këtë mund ta bëjë vetëm një kryetar të cilit, thënë më së buti, i ka humbur rruga në oborr”, vijon reagimi i LVV.
Ata paralajmëruan se hetimet e prokurorisë do të vazhdojnë të ndjekin këtë çështje.
“Faktet dhe provat për skandalin “Arkitekti i Kryeqytetit”, që përditë po prezentohen në opinion, bashkë me hetimet e prokurorisë, janë motivi dhe arsyeja e postimit të sotëm të kryetarit të Kryeqytetit. Megjithatë, me të tilla postime, z.Rama as nuk mund të fshihet prapa projekteve të rëndësisë kombëtare, por as nuk mund të justifikohet para qytetarëve të Prishtinës e organeve të drejtësisë”
Kjo përplasje publike reflekton tensionet e vazhdueshme mes Ramës dhe Vetëvendosjes, si dhe debatet mbi menaxhimin e fondeve publike dhe rëndësinë e projekteve kombëtare në Kosovë.