“Komedia hyjnore”, ikonikja e letërsisë në tablotë e qiellta të mjeshtërve të pikturës

“Komedia hyjnore”, ikonikja e letërsisë në tablotë e qiellta të mjeshtërve të pikturës

Kultura June 13, 2024 - 12:30

Mënyra se si përjetimi krijues poetik gjen shtegun për të komunikuar me njerëzit përmes artit figurativ, është nevoja e gjithmonshme që shtresëzimet e artit kanë rrëmuar gjasshmëri për të mbërritur më hirshëm te dëshirimet për t’u ndjerë përplot me frymën hyjnore.

Si çdo tjetër vepër ikonike, e cila u bë thesar në historinë e njerëzimit, edhe Komedia Hyjnore e Dante Aligerit u lexua nga mendje të dritura dhe doli së andejmi si një zë krijues përmes ngjyrës dhe përfytyrimit. Dhe bota nuk mund ta konsiderojë këtë udhëtim poetik nga toka në qiell, prej thellësisë së ferrit deri në lartësitë e qiellit dhe shpirtit, pa idealizimin që piktorë i bënë kulmimeve të këtij udhëtimi epik të njeriut në përjetësi.

Aty ku ngjitej virtyti dhe groposej vesi, ku shpërbleheshin misionarët dhe ndëshkoheshin mëkatarët, aty lindë personazhet dhe u përjetësuan figurshmëria e frymës së Dantes.

Virgjili udhëzon Danten në Ferr dhe Purgator. Megjithatë, kur Dante arrin në majë të Purgatorit (ku është Kopshti i Edenit), Virgjili zhduket. Në vend të kësaj, shfaqet Beatrice, dashuria e humbur e Dantes. Ajo bëhet udhërrëfyesi i tij i ri.

Kjo e kësisoj magjish krijimi në vargje dhe besim, në mendim dhe mesazh, janë tashmë art, kryevepra, është vetë teatri i madh i Komedisë Hyjnore.

Cekim këtë idilikë përjetimi të një shkalle qiellore përjetimi dhe përjetësimi në vepër arti përmes Gustave Doré, piktor francez (1832–1883) me tablonë “Dante dhe Virgjili në rrethin e nëntë të ferrit”, punë e realizuar në vitin 1861, vaj në kanavacë.

Për të vijuar me Roberto Bompiani, piktor italian (1821 – 1908) “Dante dhe Virgil merren fluturim nga Ceron. 1893. Në këtë jetësim të përfytyrimit të mistikës së “Komedisë Hyjnore”, cek edhe Ary Scheffer, piktor holandez-francez (1795–1858) me veprën “Dante dhe Virgjili me Paolën dhe Françeskën”.

Dhe vijon kjo paradë ferrparajse me Eugène Delacroix (1798-1863), dhe tabloja “Dante dhe Virgjili në ferr”, i njohur gjithashtu si Barku i Dantes, 1822, vaj në pëlhurë, një pikturë kjo shumë përfaqësuese dhe me një popullaritet të madh, madje sinjifikuese e gjithë asaj që arti ka mundur të sjellë në joshjen tonë për t’u ballafaquar me të figurshëm vizuale përtej shprehshëmërisë në vargje të Dantes.

Dhe rendim në këtë prezantim të Virtual Art Museum një punë të piktorit francez, Jean-Baptiste-Camille Corot, piktor francez (1796 – 1875). Rendim në këtë rrugëtim imagjinar me rikthimin e piktorit holandez-francez Ary Scheffer, (1795–1858) “Fantazmat e Paolës dhe Françeskës që kundrohen me kureshti dhe nga poetët Dantes dhe Virgjili” (1855) vaj në kanavacë, punë kjo, pjesë e Muzeut të Luvrit, Paris.

Sërish “Dante dhe Virgjili takohen me Paolën dhe Françeskën, 1846, punë nga italiani Giuseppe Frascheri. Dhe vijon kjo paradë yjesh me Gustave Courtois (1852-1923) “Dante dhe Virgjili në ferr”, Gustave Doré, piktor francez (1832–1883) me “Dante dhe Virgjili në rrethin e nëntë të ferrit”, 1861, vaj në kanavacë. Bëhet më i ashpër ky komunikim me “Dante dhe Virgil”, pikturë e  William-Adolphe Bouguereau, (1825 – 1905) Dante dhe Virgil 1850, vaj në kanavacë.

Krejtkjo madhështi arti e sendërgjuar me një shpirt të thekur pavdekësie dhe përjetësimi të veprës monumentale “Komedia Hyjnore” të Dante Aligerit, është mënyra e shprehshmërisë së figurshme, e cila e përafron krijimin poetik, eposin, misticizmin e shtresëzimit të përjetësisë, me njerëzit me adhuruesit e pikturës, me ata që shohin dhe ndjejnë më shumë se përmes muzikalitetit të fjalës dhe vargut, me koloritin, me dritëhijen, me dramacitetin e përfytyrimit që del nga shpirti i piktorit më shumë se sa nga vlaga e përjetimit poetik. /kultplus

Image

 

Image

Image

Image