Kurti i dërgon telegram ngushëllimi familjes Kabashi për ndarjen nga jeta të artistit Mirush Kabashi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot një telegram ngushëllimi familjes Kabashi pas ndarjes nga jeta të artistit të kombit, Mirush Kabashi.
Në letrën e tij, kryeministri Kurti shkroi se: “Mirush Kabashin do ta kujtojë gjithmonë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe në skenë, plot pasion e përkushtim, të cilat të përfshinin emocionalisht e ku ishte e pamundur të mos ndjeje rrëqethje e trazim emocional”.
Ai shtoi se aktori i mbi 100 roleve në teatër dhe filma, me punën dhe veprat e tij, do mbetet përjetësisht një thesar në kulturën e kombit shqiptar.
Përveç artistit, ato janë gjurmët e një aktivisti të shumë kauzave sociale e një zëri të fortë të çështjes kombëtare.
Përmes këtij telegram ngushëllimi, kryeministri i ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta, të Qeverisë dhe mbarë popullit të Republikës së Kosovës. /Zëri