Ahmetxhekaj: Mbështetja nga MKRS-ja për RTK-në, jetike për të arritur pjesëmarrjen në Eurovision

Ahmetxhekaj: Mbështetja nga MKRS-ja për RTK-në, jetike për të arritur pjesëmarrjen në Eurovision

Kultura February 22, 2023 - 23:31

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë sot se memorandumi i nënshkruar mes Transmetuesit Publik dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është jetik për të arritur pjesëmarrjen e Kosovës në festivalin evropian të këngës “Eurovision Song Contest”.

Ahmetxhekaj këtë e tha të mërkurën, derisa reagoi pas shkrimeve në media, të cilat memorandumin i cili parasheh krijimin e një kanali të veçantë për Kutlurën dhe Artin në RTK, e cilësuan si një tentim të MKRS-së për ta promovuar vetën.

Memorandumi i nënshkruar para disa dite mes RTK-së dhe MKRS-së, parasheh gjithashtu edhe Festivalin e Këngës në RTK, që pritet të nis këtë vit, për të cilin Ahmetxhekaj tha se është kyç për të arritur pjesëmarrjen në Eurovision, transmeton Zeri.info.

Kujtojmë se Kosova nuk ka arritur akoma të marrë pjesë në Eurovision, pasi RTK-ja nuk është akoma anëtare e EBU (Rrjeti i Transmetuesve Evropian), i cili organizon festivalin.

Reagimi i plotë i Ahmetxhekaj:

RTK është institucioni i vetëm medial (pasi është publik) që mund të përzgjedh këngën për pjesëmarrje të Kosovës në Eurovizion. Mbështetja e MKRS-së është jetike për të jetësuar këtë qëllim, pra nuk është çështje tenderimi se cila medie mund të përfitoj fond për ta realizuar këtë synim. Bisedat me MKRS-në kanë nisur qysh në qershor të vitit të kaluar dhe është shqetësuese se si një medium serioz nuk kërkon sqarime shtesë por raporton në mënyrë selektive e tendencioze. Memorandumi me MKRS është praktikë e njohur e transmetuesve publik me ministritë respektive.

Ky akt nuk e shndërron RTK-në në zëdhënës të ministrit Çeku, por i mundëson transmetuesit publik të përmbush ligjin dhe të jetë më afër artdashësve.

i mirë është se sivjet RTK do të themelojë Festivalin e Këngës, gjë e cila synojmë të kthehet në ngjarje madhore kombëtare. P.S. Në një status të mëhershëm kam dhënë më shumë sqarime për këtë projekt!