Kush ishin këngëtarët që në kohë lufte bënë jehonë me këngën për paqe në Kosovë “Kosova Calls for Peace”?
Muzika e shpicës së emisionit “FAKTE” që gjithmonë e dëgjoni, është fillimi i një kënge që me vete përmban një histori tejet të rëndësishme, ku lë gjurmë në kohët më të vështira të vendit tonë. Bëhet fjalë për këngën “Kosova Calls for Peace”, që në shqip do të thotë “Kosova thërret për paqe”, e që për qëllim kishte t’i tregonte botës se në Kosovë po zhvillohej luftë e vërtetë dhe me krejt këtë të vërtetë Kosova kishte nevojë për paqe.
Një ditë të vitit 1998, pasi ishte zhvilluar Beteja në Prekaz, një grup artistësh teksa po qëndronin në një kafene të Prishtinës kuptojnë se ishte e nevojshme dhe kishin potencial të bënin edhe ata diçka në të mirë të Kosovës. Së bashku me ta ishte edhe njeriu i afërt i presidentit Rugova, Adnan Merovci.
“Ka ardhur koha që të bëhet një këngë për Kosovën. Një këngë bile në gjuhën angleze, e cila do ta sensibilizonte çështjen e Kosovës dhe të luftës”, u kishte thënë atë kohë Adnan Merovci shokëve të vet, këngëtarëve të mirënjohur tashmë, Sabri Fejzullahut e Sinan Vllasaliut, të cilët nuk ishin të vetmit në atë tavolinë.
Kaq mjaftoi për t’ua ngjallur çdo emocion shokëve për t’i ndihmuar në njëfarë forme Kosovës, e cila ishte duke përjetuar gjendjen më të rëndë ndonjëherë.
Me orë policore e duke parë policët serbë kudo, e pasi kishim përjetuar humbjen më të madhe në vend, humbjen e pjesëtarëve të familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, 18 këngëtarë, ku bënin pjesë fëmijë, të rinj e më në moshë, ia dalin që me zërin e tyre, nën patronatin e presidentit Rugova, t’i shërbenin diplomacisë publike të Kosovës në atë kohë.
Kush ishin këta këngëtarë që morën pjesë në këtë këngë? I kujt ishte teksti? Kush e mori përsipër regjinë e videoklipit? Ku u xhirua? A u paguan për këtë pjesëmarrësit? e shumë detaje tjera mund t’i dëgjoni në rrëfimin ekskluziv të producentit ekzekutiv Adnan Merovcit dhe autorit të kësaj kënge Xhevdet Gashit.