Filatelia e Postës pasurohet me pulla postare për “50 Vjetorin e Baletit”

Filatelia e Postës pasurohet me pulla postare për “50 Vjetorin e Baletit”

Kultura September 01, 2022 - 12:09

Filatelia e Postës së Kosovës nga sot emetoi dy pulla postare, nga emisioni i radhës “50 Vjetori i Baletit”, për nder të gjysmëshekullit të themelimit dhe veprimit të Baletit të Kosovës, nga viti 1972.

Sipas njoftimit, balerinët e gjeneratës së parë janë arsimuar në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup, ndërsa pas përfundimit të suksesshëm shumica e tyre u kthyen në Prishtinë, në kuadër të Teatrit të Kosovës, duke themeluar baletin kosovar nën drejtimin e Abdurrahman Nokshiqit.

“Ansambli i Parë i Baletit të Kosovës arriti të nxirrte në skenë shfaqje mjaft të mëdha nga kompozitorë të huaj e shqiptarë, që me paraqitjet e tyre barazoheshin me balerinët e vendeve të ndryshme, derisa regjimi ish-jugosllav i dëboi me dhunë nga Teatri balerinët kosovarë në vitin 1991”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se gjenerata e re e Baletit të Kosovës u rithemelua pas çlirimit të Kosovës në vitin 2001, nga balerini Ahmet Brahimaj, i cili me ndihmën e disa kolegëve të tij formoi Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të Shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë.

Filatelia e Postës së Kosovës vlerëson dhe nderon kontributin e balerinëve kosovarë në këtë vit jubilar. Përmes imazhit të këtyre dy pullave postare do të shpalosen dhe promovohen nëpër botë vlerat kulturore dhe artistike të Republikës së Kosovës. /Zëri

Image

Image

Image