Festivali i Filmit të Animuar në Francë, mbi 500 prodhime në garë për trofeun

Festivali i Filmit të Animuar në Francë, mbi 500 prodhime në garë për trofeun

Kultura June 15, 2022 - 00:05

Annecy bëhet çdo qershor kryeqyteti i animacionit me festivalin e tij, që është bërë më i madhi në botë.

Mbi 100 mijë spektatorë nga 100 vende do të ndjekin mbi 500 filma që do të shfaqen në ekranin e madh.

Festivali nisi të hënën me premierën e filmit të animuar “Ngritja e një idhulli”, që tregon rininë e disa personazheve negative dhe që më vonë do të transmetohet në të gjithë botën.

Me një drejtor artistik në krye në 10 vitet e fundit, festivali ka regjistruar evolucionin e animacionit, sidomos në Evropë.

“Filmat me metrazh të gjatë janë një format që është zhvilluar shumë në Evropë në 20 vitet e fundit. Po shohim se animacioni është një mjet i përsosur bashkëpunimi, pasi nuk je peng i aktorëve, i yjeve, i një gjuhe apo i një versioni. Ndaj mundësitë për të lehtësuar bashkëpunimin janë të mëdha”, u shpreh Marcel Jean, drejtor artistik.

Nga 10 filmat në garë për trofeun, 8 prej tyre janë një bashkëpunim mes të paktën 2 vendeve evropiane. Por mes tyre është edhe “Nayola”, një prodhim i realizuar nga Portugalia, Belgjika, Holanda dhe Franca. Ai rrëfen historinë e grave të tre brezave në Angola, të prekura nga lufta e gjatë civile.

“Idetë evropiane janë të pranishme në çdo film, gjë që na bën të flasim për shumë çështje, përfshirë Ukrainën dhe të mendojmë për të, duke qenë se këtë vit festivali donte t’i kushtonte një copëz të tij animacionit ukrainas dhe t’i kujtonte të gjithë spektatorëve se është një vend i rëndësishëm në botën e animimit, që aktualisht po përjeton një situatë dramatike”, tha Marcel Jean.

Në një film me metrazh të shkurtër, personazhi kryesor tregon përshtypjet e tij nga ngjarjet që çuan në vdekjen e të atit 8 vjet më parë në Ukrainë.

Festivali në Annecy përfundon të shtunën më 18 qershor. /euronews