Serbia prodhon një tjetër film propagandues, tash për trazirat e marsit 2004

Serbia prodhon një tjetër film propagandues, tash për trazirat e marsit 2004

Kultura April 27, 2022 - 23:43

Tash e një muaj ka filluar të shfaqet nëpër kinematë serbe filmi “"Mrak" [Errësira] i regjisorit serb Dushan Milic.

Filmi ka për temë ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë, ndërsa skenari i tij fokusohet në frikën e vazhdueshme të vajzës serbe me emrin Milica, e cila ka mbetur vetëm me nënën dhe gjyshin e saj në një shtëpi malore diku në Kosovë, ku sulmohet nga diçka e “padukshme” pothuajse gjatë gjithë filmit i cili zgjat gati dy orë, shkruan Zeri.info.

Në këtë film, i cili është si shumë filma tjerë serb me plotë propagandë kundër shqiptarëve të Kosovës, tregohet se babai dhe xhaxhai i Milicës janë zhdukur ndërsa shtëpinë e tyre fillimisht e ruan KFOR-i italian, ndërsa sipas tij, problemet fillojnë kur ushtarët italianë zëvendësohen me ata amerikanë, e që në film paraqiten si bashkëpunues me “të keqen” që sulmon familjen serbe.

Filmi është mbështetur nga Qendra e Filmit e Serbisë, Ministria e Kulturës dhe Informacionit e Serbisë, Qeveria e Serbisë, Fondi Eurimage i Këshillit të Evropës, Instituti Danez i Filmit, Televizioni Kombëtar Danez DR, Qendra e Filmit e Bullgarisë, Fondi Rajonal Italian, Fondo Audiovisio FVG, Qendra e Filmit të Greqisë, Televizioni publik grek ERT dhe MEDIA Creative Europe. /Zëri