“Perlat shqiptare” në Venecia, koncert me jare e muzikë bashkëkohore

“Perlat shqiptare” në Venecia, koncert me jare e muzikë bashkëkohore

Kultura April 22, 2022 - 11:25

“Perlat shqiptare” titullohet koncerti i shfaqur mbrëmjen e djeshme në “Chiesa della Pietà” në Venecia - Itali, me jare e muzikë bashkëkohore shqiptare.

Koncerti me muzikë dhome ishte pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, organizuar nga Ambasada shqiptare në Itali me rastin e pjesëmarrjes së dy vendeve tona në Bienalen e Venecias, raporto ATSH-ja.

Në koncertin ku u mblodhën shumë miq ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Një atmosferë e ngrohtë mes perlash të muzikës shqiptare dhe botërore, në Venecia.

Chiesa della Pietà në Venecia priti ‘Perlat shqiptare’ jare e muzikë bashkëkohore.

Kuarteti i harqeve, i përbërë nga Abigeila Voshtina dhe Xhoan Shkreli, në violinë, Herida Duro, violë dhe Mario Guralumi violonçel, shoqëruar nga sopranoja Besa Llugiqi interpretuan vepra nga kompozitorët Puccini, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Vasil S. Tole si dhe disa perla të këngëve shkodrane. Sot Venecia foli shqip”, tha Margariti.