Vizatimi i rrallë i Mikelanxhelos mund të shitet 33 milionë € në ankand

Vizatimi i rrallë i Mikelanxhelos mund të shitet 33 milionë € në ankand

Kultura April 08, 2022 - 23:00

Një vizatim i Mikelanxhelos, i zbuluar në vitin 2019 do të dalë në ankand me çmimin që mund të arrijë deri në 33 milionë euro.

Vizatimi do të shitet nga Christie’s, shtëpia e ankandeve në Britani, e themeluar në 1766 nga Xhejms Kristi.

Ky vizatim që përbën një nga veprat e pakta të artistit italian të Rilindjes që ndodhet jashtë muzeve, u shit në vitin 1907 në Paris si një vepër e shkollës së Mikelanxhelos. Vizatimi mbeti në harresë deri në vitin 2019, kur Christie’s e njohu si vepër të vetë Mikelanxhelos.

Vizatimi mendohet të jetë një nga veprat e hershme të artistit, e krijuar nga fundi i shekullit të 15-të.

Ky vizatim është riprodhim i imazhit të një burri që dridhet nga i ftohti përpara pagëzimit, nga afresku “Pagëzimi i Neofitëve” i piktorit italian Masakio.

“Ky vizatim mendoj se është një nga zbulimet më emocionuese të bëra në fushën e vizatimeve të Mjeshtërve të Vjetër për një kohë të gjatë,” tha Stijn Alsteens, kreu ndërkombëtar i Christie’s nga departamenti për vizatimet e Mjeshtërve të Vjetër.

“Ai tregon Mikelanxhelon duke bërë dy gjëra në të njëjtën kohë, duke parë artistët që i paraprinë, në këtë rast Masakio, si dhe duke pritur aspektin revolucionar të punës së tij, që ka si veçanti përshkrimin e njeriut”, tha Alsteens.

Vepra u cilësua fillimisht si një thesar kombëtar francez, gjë që e pengoi të eksportohej, por qeveria franceze kohët e fundit e hoqi këtë cilësim, duke lejuar që vizatimi t’u ofrohej koleksionistëve kudo në botë, njoftoi Christie’s.

Vizatimi është planifikuar të ekspozohet në Hong Kong dhe Nju Jork përpara se të dalë në ankand në Paris, më 18 maj.

Mikelanxhelo është një nga artistët më të njohur të Rilindjes italiane, duke krijuar disa nga kryeveprat botërore të pikturës, skulpturës dhe arkitekturës.

Disa nga veprat më të famshme të tij janë skulptura “Pietà”, e cila gjendet në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, – arkitekt i kësaj bazilike është vetë ai -, “Gjykimi i fundit”, afresk që ndodhet te Kapela Sistinë në Vatikan, “Krijimi i Adamit”, afresk në Kapelën Sistinë në Vatikan dhe statuja e Davidit, që ndodhet në “Galleria dell’Accademia” në Firence. /euronews/