Vepra e shqiptaro-amerikanes në qendrën Rockefeller të Nju-Jorkut

Vepra e shqiptaro-amerikanes në qendrën Rockefeller të Nju-Jorkut

Kultura April 05, 2022 - 23:04

Flamujt e vendeve anëtare të OKB-së që valëviten rreth qendrës Rockefeller në Nju Jork, janë zëvendësuar me vepra të artistëve nga mbarë bota. Instalacioni i quajtur “Vetëm një tokë” ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për ndryshimet klimatike. Një nga 193 flamujt e vendosur është krijuar nga piktorja shqiptaro-amerikane Teuta Ibriqaj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artistja flet mbi idenë prapa punimit të saj dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë projekt.

Në vend të flamujve të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në qendrën Rockefeller të Nju Jorkut nga 1 prilli po valëviten 193 flamuj të krijuar nga artistë në mbarë botën.

Në mesin e tyre është edhe e vepra e artistes shqiptaro-amerikane, Teuta Ibriqaj.

Instalacioni i quajtur “Vetëm një tokë” është realizuar në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara dhe Muzeun e Klimës në Nju Jork, me qëllim të rritjes së vetëdijes së shoqërisë rreth kujdesit ndaj mjedisit dhe rreziqeve nga ndryshimet klimatike.

Piktorja Ibriqaj shpjegon hollësitë e punimit të saj.

“Zgjodha dy ngjyra, ngjyrën e tokës dhe ngjyrën që krijohet kur qielli reflekton në ujin e detit. Të dyjat i ndërlidha dhe veprën e titullova ‘Renditje’. Këtë rënditje e shohim gjithkund ku është toka dhe deti. Qetësia, dheu që është shumë me rëndësi për njerëzimin. Në një mënyrë edhe prejardhjen e kemi nga dheu. E paraqita në një mënyrë harmonike, me disa ngjyra të qeta, duke simbolizuar pasurinë, respektin, dashurinë për njëri tjetrin dhe gjithashtu respektin për tokën dhe ujin”, thotë ajo.

Ekspozita në qendrën që vizitohet nga më shumë se 120 milionë njerëz në vit është falas dhe e hapur për publikun.

Zonja Ibriqaj e sheh këtë si një mundësi të jashtëzakonshme që e gjithë bota ta shoh dhe vlerësojë artin e saj por edhe të mësojë më shumë rreth Kosovës.

“Unë e mendova kështu: flamuri i Kosovës ende nuk është aty, lavdi Zotit një vepër që e krijova unë po bëhet pjesë shumë shpejtë. Ishte një gëzim i madh, por më përpara do të doja ta shihja aty flamurin e Kosovës. Arti është kultura e një populli. Kjo është një mundësi e mirë që bota ta shoh një lloj kulture tonën”.

Flamujt e artistëve do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 1 maj.

Ky është viti i tretë që qendra Rockefeller realizon projektin e flamujve.

Instalacioni nisi më 2020 kur bota po përballej me pandeminë COVID-19, ndërsa qendra Rockefeller u dha artistëve një mundësi që përmes veprave të tyre të shprehin dashurinë për Nju Jorkun dhe jetën në të.

Ky është një shembull i mundësive të mëdha që ofron qyteti i Nju Jorkut për artistë, thotë zonja Ibriqaj.

“Në Nju Jork është një konkurrencë e madhe për të qenë artist. Vlerësimi është shumë i madh. Ka mundësi të mëdha. Secili person sheh mundësi për të arritur më shumë. Është vend shumë i mirë për mua dhe shumë i përshtatshëm. Gjithmonë kam dashur që këtu të krijojë”, thotë ajo.

Artistja jeton në Shtetet e Bashkuara nga viti 2008. Së fundmi ajo është duke realizuar një seri veprash mbi gjeneratat ilirie dhe origjinën e shqiptarëve.

“Shumica e njerëzve edhe pse kanë studiuar histori, më pyesin pse nuk kemi dëgjuar kurrë për këto gjëra, janë shumë interesante, kurrë nuk e kam parë këtë vepër, kurrë nuk e kam parë këtë artefakt; Pra është një ide shumë e mirë, shpresoj që do të bëjë bujë”, përfundon artistja.

Zonja Ibriqaj thotë se ky projekt është një nismë e saj personale që përmes krijimeve artistike bota të mësojë një pjesë të pashpalosur të historisë shqiptare./VOA