Premton konsistencë, rikthehet “Prishtina Music Conference” për edicionin e dytë

Premton konsistencë, rikthehet “Prishtina Music Conference” për edicionin e dytë

Kultura April 01, 2022 - 09:52

Në mediat sociale kemi parë rishfaqjen e “Prishtina Music Conference”, ku në postimin e fundit bëjnë të ditur se do të kthehen me edicionin e dytë në nëntor të këtij viti.

Në postim thuhet se me suksesin e vitit të parë, si dhe duke i marrë parasysh komentet e rëndësishme nga mysafirët, folësit e panelistet, PMC II, organizuar edhe një herë nga kompania “Rave”, e mbështetur nga agjencia e shkrimit “Bridge”, vjen me formatin e njëjtë (prezantimi, panel diskutime, performance, ekspozita dhe seminare) – por me një premtim të konsistencës në program.

Sipas “Rave”, paraqitja e programit në vitin e parë ishte tejet i suksesshëm, duke marrë parasysh të pranishmit edhe nga qeveria e vendit.

Tema kryesore e këtij viti mund të jete dancefloor-i, pa anashkaluar tema të tjera që ndërlidhen indirekt me të paren.

Pyetur se çka nënkuptojnë me konsistencën e përmendur, “Rave” shpjegon se si konsistenca në punë bie ndryshimin, por pa thëne asgjë më shumë rreth programit.

Në edicionin e parë, i mbajtur në dhjetor të vitit 2021, me moton “Vesht kanë sy, shohin, gjykojnë e nuk harrojnë”, temat ishin të numëruara, ku ra në sy tema e problemit të shëndetit mendor në skenën e muzikës, si t’i shpëtojmë modelit të biznesit hiperkapitalist të muzikës, tema mbi shijen, nostalgjia e gjeneratave më të vjetra në Kosovë, si dhe tema tjera të ndryshme.

“Rave” kishte sjellë për PMC-në folës si: Dukagjin Lipa, Daniel Nordgaard e Hedon Blakaj, me panelistë si Rosana Corbacho, Vjosa Shala, Grego O’Halloran e moderator Julia Richter, ndër të tjerë.