Shfaqja ‘Muslimani’ të hënën me premierë në TKK, Petrovci: Shfaqja trajton martesën mes një shqiptare muslimane me një malazez ortodoks

Shfaqja ‘Muslimani’ të hënën me premierë në TKK, Petrovci: Shfaqja trajton martesën mes një shqiptare muslimane me një malazez ortodoks

Kultura March 20, 2022 - 15:13

Shfaqja ‘Muslimani’ të hënën me premierë në TKK, Petrovci: Shfaqja trajton martesën mes një shqiptare muslimane me një malazez ortodoks

Sot në Teatrin Kombëtar është mbajtur konferenca me rastin e premierës së shfaqjes ‘Muslimani’ të regjisorit Enver Petrovci.

Ishte vetë regjisori Petrovci ai që e mori fjalën i pari për të treguar origjinën e kësaj shfaqje, ngjarjen që e bëri ta shkruajë tekstin e shfaqjes ku vetë është protagonist. Ai tregon se e gjithë historia filloi disa vite më parë në Ulqin ku ai kishte rastisur të shihte një dasmë të një vajze shqiptare muslimane dhe të një djali malazez ortodoks.

“Ishte kohë kur nuk kishte turistë, shkuam në plazh me një kolege nga Beogradi. Vetëm një restorant punonte dhe shkuam aty. Erdhi kamarieri na i solli kafet dhe tha vetëm edhe pesë minuta dhe ju lutem a mund të spostoheni vetëm dy metra në këtë anë sepse në atë restorant që ishte në fund të plazhit, ishte i rezervuar për një dasmë atë ditë. Më pas u dëgjua muzika hynë dasmorët plot, të veshur bukur dhe po e dëgjoj zërin në malazezisht.” – thotë regjisori Petrovci, ku ndonëse nuk i ka mbajtur mend emrat, ai e kujton se kishte të bënte me një martesë të dy njerëzve që nuk i bashkonte as kombi e as religjioni”.

“Më bëri përshtypje kur u ktheva në hotel, edhe aty pronari i hotelit ishte shqiptar katolik dhe po i them ‘Më bëri përshtypje kjo dasma mes shqiptares muslimane dhe malazezit ortodoks’, më tha ‘po ne martohemi me ta’, duket e pazakontë mirëpo shqiptari katolik me shqiptarin musliman kurrë nuk martohen, pavarësisht se janë të një kombi. Nuk shkoi shumë, pasi u ktheva në Prishtinë shkrova këtë histori dhe e titullova me emrin ‘Muslimani’- shprehet ai duke vazhduar se mezi pret që ta shfaqë këtë shfaqje në Ulqin.

Image

E në realizimin e kësaj shfaqje, regjisori thotë se pjesa më e lodhshme ka qenë ajo e gjetjes së aktores që do të luajë përkrah tij deri sa hasi në aktoren Vlora Nikçi e cila në këtë shfaqje luan rolin e Anitës.

Ndërkaq, vetë aktorja thotë se për të ka qenë një kënaqësi e madhe ta ndajë të njëjtën skenë me regjisorin Enver Petrovci.

“Ajo çka ka qenë e vështirë gjatë krejt kësaj pune është ajo që mua më kanë ndjek pas dy emocione shumë të forta gjatë krejt kësaj pune të gjatë dhe shumë të mirë, një shumë e mirë e madhe dhe një shumë e keqe e madhe. E keqja e madhe është se tekstshkruesi është gjallë dhe është në skenë me ty dhe gjithmonë e ke atë dronë se a je ti ajo Anita që e ka kriju Enver Petrovci dhe e mira e madhe është që tekstshkruesi është në skenë me ty dhe nuk të lejon me dalë prej Anitës që ky e ka imagjinuar.” – thekson aktorja Nikçi.

E gjithë kjo punë e cila do të prezantohet të hënën në premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, asistenti i regjisë, Lirim Behluli, thotë se ka zgjatur rreth 4 muaj.

“Kemi pasur disa pauza deri sa kemi punuar në këtë shfaqje, por kur kemi bërë provat kemi punuar intensivisht. Kemi punuar gradualisht shfaqjen dhe besoj se jemi gati për premierën”, tha ai

Poashtu, në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe Zeni Ballazhi i cili është marrë me skenografinë.

“Ne flasim më shumë me objekte, ka qenë kënaqësi me punu me profesor Enver Petrovcin. Tu e njoftë eksperiencën dhe punën profesionale të tij, nuk kemi hezitu dhe me kënaqësinë më të madhe kemi pranu dhe ia kemi përshtat konceptin shfaqjes edhe karaktereve” – thotë Ballazhi.

Për fund foli edhe Arbnora Ademi, e që në këtë shfaqje paraqitet si përshpëritëse.

“Kur e kam lexu për herë të parë më ka pëlqyer shumë teksti por nuk e kam ditë nëse po e gjykoj saktë ose po ngutem me reagu edhe me i thënë profesorit që po mpëlqen shumë çka ke shkru. Por kemi nisë me punu veç mu ka dëshmu mënyra qysh e ka punu profesori karakterin edhe kom mësu shumë gjatë kësaj eksperience dhe jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e kësaj shfaqje.” -përfundoi ajo.

Përveç premierës në Teatrin Kombëtar, regjisori Enver Petrovci thotë se planifikon që këtë shfaqje ta dërgojë edhe jashtë kufijve kombëtarë./KulPlus