SHBA-ja e Zvicra i gëzohen suksesit të “Zgjoit” në Oscar

SHBA-ja e Zvicra i gëzohen suksesit të “Zgjoit” në Oscar

Kultura December 22, 2021 - 11:33

Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit mbrëmë hyri në listën e ngushtë për çmim “Oscar” në kategorinë e filmave ndërkombëtarë.

Urimet erdhën një pas një për këtë të arritur, që është hera e parë në historinë e Kosovës ku një film i metrazhit të gjatë, prodhim vendor, mbërrin deri në këtë fazë.

Mes urimeve edhe një erdhi nga Ambasada Amerikane, e cila ka uruar regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin e saj për këtë arritje.

“Lajm i mrekullueshëm! ‘Zgjoi’ u përfshi në listën e ngushtë në kategorinë e filmit ndërkombëtar për ceremoninë e 94-të të Çmimeve të Akademisë. Bravo Blerta Basholli dhe ekipit”, thuhet në postimin e Ambasadës në “Facebook”.

Urim për këtë të arritur erdhi edhe nga Ambasada Zvicerane në Kosovë, e cila thotë se ky film na kujton se çfarë efektesh bartin në vete zhdukjet e personave për familjet e të zhdukurve.

“Urime për regjisoren Blerta Basholli, që u fut në listën e ngushtë me filmin ‘Zgjoi’ në kategorinë e filmit (të metrazhit të gjatë) ndërkombëtar në Oscar! Filmi na kujton se sa thellë prekin zhdukjet familjet e personave të zhdukur dhe se viktimat duhet të jenë gjithmonë në qendër të përpjekjeve për t'u marrë me të kaluarën”, u tha në urimin e kësaj ambasade. /Zëri