“Clara with a Mustache”, filmi i animuar kosovar që po lë gjurmë në festivalet ndërkombëtare të filmit

“Clara with a Mustache”, filmi i animuar kosovar që po lë gjurmë në festivalet ndërkombëtare të filmit

Kultura November 23, 2021 - 15:36

Animacioni i shkurtër “Clara with a Mustache”, me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori, ka lënë gjurmë në festivale të ndryshme evropiane dhe ato amerikane këtë vit.

Filmi që u kushtohet fëmijëve në të gjithë botën, të cilët vuajnë nga lufta dhe dhuna fillimisht u përzgjodh për ta dhënë premierën botërore në festivalin e njohur amerikan të filmit “Santa Barbara International Film Festival”.

E që nga aty filmi mori vëmendje edhe tek festivale tjera, duke u shfaqur në festivalin e mirënjohur ndërkombëtar të filmit në Cleveland dhe në atë të Krakovës në Poloni, ku u mbajt edicioni i 61-të i festivalit të filmit ndërkombëtar.

Ndërkaq suksesin më të madh filmi “Clara with a Mustache” e arriti në festivalin e njohur francez “Annecy International Animation Film Festival”, ku edhe rrëmbeu çmimin e qytetit “Annecy (City of Annecy Award)”. Animacioni ishte pjesë e kategorisë “Perspectives Short Films in Competition”, në kuadër te edicionit të 60-të të filmit.

Image

Pas suksesit në Francë, filmi u zgjodh për pjesëmarrje në “Shorts International Film Festival”, edicioni i 25-të, i cili njihet si festivali më i gjatë i filmit të shkurtër në Los Angeles.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “LA Shorts” renditet ndër festivalet më prestigjioze dhe më të mëdha të filmit të shkurtër në botë. Festivali është i akredituar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit dhe Akademia e Kinemasë dhe Televizionit Kanadez.

Pas pjesëmarrjes në Los Angeles, filmi vazhdoi në garën e ngushtë në “Holly Shorts Film Festival” që ndryshe njihet si festival i cili renditet në listën e festivaleve më të mirë në botë për filmin e shkurtër 2022 .Gjatë këtyre 17 viteve, në këtë festival kanë qenë prezent figura të njohura si Anthony Russo, Debra Messing e Oscar Isaac.

Rrugëtimi i suksesshëm i animacionit vazhdoj tutje duke u shfaqur edhe në festivalet e tjera ndërkombëtare si Spark Film Festival dhe Animateka International Animated Film Festival.

Ndër vite Spark Film Festival ka tërhequr talentet më të mirë të animacionit nga e gjithë bota dhe disa nga projektet e njohura në festival kanë fituar çmime të ndryshme, përfshirë dhe Oscar.

Në anën tjetër, Animateka Film Festival, është kryesisht e fokusuar në prodhimin e filmave më të mirë të shkurtër të Evropës Lindore dhe Qendrore. Festivali do mbahet nga data 29 nëntor deri me 5 dhjetor.

Filmi do shfaqet në programin Panorama Programe I, program i cili nuk do jetë në konkurrencë për çmim. Gjatë shfaqjes së filmit në Annecy, filmi është pëlqyer shumë nga përfaqësues të këtij festivali, dhe kanë bërë ftesë speciale për shfaqjen e filmit në këtë edicion.

Mes tjerash animacioni i shkurtër, është përzgjedhur për të marrë pjesë edhe në festivalin e 14-të ndërkombëtar të filmit të animuar Piccolo Festival në Pordenone të Italisë, ku filmat kanë filluar të shfaqen prej datës 20 nëntor, deri me 27 nëntor.

Ndërsa së fundmi “Clara me Mustaqe”, u ftua për shfaqje nga Festivali Ndërkombëtar i Animacionit në Londër, që njëkohësisht është festivali më i madh dhe më jetëgjatë ndërkombëtar i animacionit në Mbretërinë e Bashkuar.

Image

Festivali i filmit në Londër do të fillojë nga data 26 nëntor deri të dielën më 5 dhjetor. Filmi është përzgjedhur në mesin e 2,384 filmave, në garën e filmave internacional, dhe është pjesë e programit Into the Dark, një nga 8 programet, të cilat janë përcaktuar në bazë të temave të filmave. “Clara With a Mustache” do të shfaqet në kategorinë Into Dark të Programit Ndërkombëtar të Konkurrencës 5.

Këtë vit festivali do të jetë hibrid, kështu që filmi do të shfaqet në Hackney Picturehouse të martën më 30 nëntor në orën 21:00 dhe do të jetë gjithashtu i disponueshëm për t’u parë në online, për 7 ditë nga ajo kohë.

Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojat e saj, por është ndërtuar dhe shpalosur me një imagjinatë fëmijërore. Animacioni është mjeti më i mirë që mundësoi që kjo imagjinatë të shpaloset, në mënyrën më të përshtatshme dhe shumë interesante. Filmi i kushtohet 31 milionë fëmijëve në mbarë botën, të cilët edhe sot vuajnë nga lufta dhe dhuna; sepse në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mesazhi për këta fëmijë, është që ëndrrat dhe shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë nuk duhet t’i zbehin asnjëherë.

Regjisor i këtij filmi është Ilir Blakçori, ndërsa udhëheqëse e animacionit Vala Blakçori.

“Pjesëmarrja në këto festivale është e mirëseardhur dhe jashtëzakonisht e rëndësishme, si për filmin ashtu, edhe për ekipin punues. Festivalet janë një mbledhim i bukur përmes të cilës udhëton puna dhe pasioni ynë për të. “Clara with a Mustache” është krijuar dhe realizuar me qëllimin e ngritjes së vetëdijes kolektive për një temë të caktuar, në një kohë të caktuar, që është zhvilluar në Kosovë. Ky qëllim, si i tillë, mund të arrihet më së miri përmes një rrugëtimi shfaqjeje nëpër festivalet botërore”, ka thënë autori, regjisori dhe producenti i filmit, Ilir Blakçori.

“Për më shumë, “Clara with a Mustache” shërben si një dritare për publikun ndërkombëtar për t’u njohur me historinë dhe kulturën tonë. Padyshim se njohja dhe vlerësimi i punës tonë nga festivalet ndërkombëtare, shumica festivale të kualifikuara për Oscars, është një reagim i mirëseardhur. Kjo është një shenjë më shumë që Kinematografia e Kosovës po vazhdon të ecë përpara. Ndërsa reagimi i publikut karshi filmit është kontribuues drejt frymëzimit që të vazhdojmë punën më tutje, gjithnjë me shpresë që ky frymëzim do të bartet edhe në gjeneratat më të reja në Kosovë”, thotë tutje Blakçori.