Filmi kosovar “Vera Andrron Detin” shpërblehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio

Filmi kosovar “Vera Andrron Detin” shpërblehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio

Kultura November 08, 2021 - 11:02

Filmi i Kaltrina Krasniqit “Vera Dreams Of The Sea” (Vera Andrron Detin) është shpërblyer me çmimin “Tokyo Grand Prix” në mbyllje të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio (TIFF), i mbajtur nga 30 tetori deri më 8 nëntor, të hënën mbrëma (sipas orës lokale në Japoni).

I zhvilluar në Kosovë, filmi përcjell një grua që zbulon se mund ta humbasë shtëpinë pasi burri i saj vdes duke kryer vetëvrasje. Filmi është shfaqur premierë botërore në sektorin “Horizons” në festivalin e sivjetmë të filmit të Venecias. Çmimi “Tokyo Grand Prix / Governor of Tokyo” vjen me një shumë parash prej 30,000 dollarësh, raporton “Screen Daily”.

Ky prodhim kinematografik është një film i metrazhit të gjatë me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, raporton Zeri.info.

Historia e filmit paraqet përditshmërinë e qetë të personazhit kryesor – Verës, e cila çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj, që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë, të cilët pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.

Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe, të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi e shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim, por edhe universal i një gruaje, e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Filmi përbëhet prej një kasti aktorësh, ku bëjnë pjesë; Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e disa të tjerë.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Punëtoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Fituesit e tjerë në Festival

“La Civil”, nën regjinë e Teodora Ana Mihait dhe i xhiruar në Meksiko, u shpërblye me çmimin special të jurisë së TIFF-it, ndërsa çmimi për regjisorin më të mirë shkoi për kazakun Darezhan Omirbaev për filmin “Poet”, transmeton Zeri.info.

Çmimi për aktorin më të mirë shkoi për Julia Chavez për rolin e saj në “The Other Tom”, një bashkëpunim Meksikë – SHBA, nën regjinë e Rodrigo Plasë dhe Laura Santullos. Çmimi për aktorin më të mirë u nda midis katër aktorëve në filmin “The Four Walls” të regjisorit kurd Bahman Ghobadi – Amir Aghaee, Fatih Al, Barish Yildiz dhe Onur Buldu.

“Crane Lantern”, me regji të Hilal Baydarov, nga Azerbajxhani, mori çmimin për kontributin më të mirë artistik. “Just Remembering”, me regji të Matsui Daigos, nga Japonia, u nderua me çmimin e publikut, si dhe mori një përmendje të veçantë të jurisë.

Festivali, i cili zhvilloi shfaqje fizike në zonën Hibiya-Ginza, raportoi gjithsej 29,414 pranime për 126 filma, krahasuar me 40,553 pranime për 138 filma në edicionin e tij 2020. /Zëri