Filmi kosovar “Luaneshat e Kodrës” fiton dy çmime në festivalin britanik “Raindance”

Filmi kosovar “Luaneshat e Kodrës” fiton dy çmime në festivalin britanik “Raindance”

Kultura November 05, 2021 - 15:52

Filmi francezo-kosovar i Luana Bajramit, “The Hill Where Lionesses Roar” (Luaneshat e Kodrës) ka fituar dy çmime në festivalin britanik të filmit “Raindance”.

“Luaneshat e Kodrës” fitoi çmimin për regjisorin më të mirë dhe çmimin për filmin më të mirë debutues të metrazhit të gjatë, raporton “Screendaily”.

Filmi debutues i Bajramit u lansua në festivalin e filmit “Directors’ Fortnight” në Kanë, transmeton Zeri.info.

“The Hill Where Lionesses Roar” fokusohet në tri gra të reja shpirtlira, që vendosin të ikin nga jeta e tyre e përditshme dhe të formojnë një bandë.

Filmi në fjalë u bë filmi i parë i metrazhit të gjatë nga Kosova, që u shfaq premierë në Festivalin e Kanës, një ndër ngjarjet më prestigjioze në botën e filmit. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në “Raindance” u ndanë nëntë çmime për filma të metrazhit të gjatë, përfshirë filmin më të mirë britanik që shkoi për Luke Cutforth për filmin “The Drowning Of Arthur Braxton”.

Filmi “Medusa” i Anita Rocha da Silveiras, një film tjetër debutues i vitit 2021 në “Directors’ Fortnight”, fitoi çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar; përderisa debutimi i Daniel Lombrosos, filmi jofantazi “White Noise”, fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë. Fituesit u shpallën nga një juri e përbërë nga 33 persona, përfshirë aktorët Phoebe Dynevor, Fiona Shaw dhe Tobias Menzies; shefat ekzekutivë Phil Hunt dhe Damian Spandley; dhe aktivistin Peter Tatchell. “Raindance” është festival kualifikues për në “Oscar”.

Pranuesi i çmimit për filmin më të mirë të shkurtër hyn në garën për kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër të “Academy Awards” pa pasur nevojë të hyjë në filtrat standarde (nëse i plotëson rregullat e Akademisë). /Zëri

Fituesit e “Raindance 2021”:

Filmi më i mirë ndërkombëtar - Medusa (Braz), regjisorja Anita Rocha da Silveira, filmi më i mirë britanik – “The Drowning Of Arthur Braxton”, regjisor Luke Cutforth, filmi më i mirë dokumentar – “White Noise” (SHBA), regjisor Daniel Lombroso. Regjisori më i mirë – Luana Bajrami, “The Hill Where Lionesses Roar”. Filmi më i mirë debutues – “The Hill Where Lionesses Roar” (Kos-Fr), regjisorja Luana Bajrami. Performanca më e mirë – Lucia Moniz, “Listen”. Dokumentari më i mirë muzikor – “I’m Wanita” (Australi), regjisor Matthew Walker. Skenari më i mirë – Renata Pinheiro, Sergio Oliveira, Leo Pyrata për “King Car”. Kinematografia më e mirë – Sam Levy, “Mayday”.