Mbahet koncerti inaugurues i Operës së Kosovës

Mbahet koncerti inaugurues i Operës së Kosovës

Kultura November 01, 2021 - 10:14

Mbrëmë (31 tetor) në Sallën e Sporteve në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, është mbajtur koncerti inaugurues i Operës së Kosovës.

Në mesin e të ftuarve ishin kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku e shumë personalitete të njohura.

Për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës u bënë bashkë mbi 170 profesionistë të muzikës që veprojnë suksesshëm në skena të ndryshme botërore.

Në një postim në Facebook, ministri Çeku u shpreh se Kosova përherë ka patur dhe vazhdon të ketë muzikantë të talentuar e punëtor.

“Ky është fillim i mbarë për një rrugëtim të gjatë dhe shpresëdhënës të muzikës operistike në Kosovë. Sonte shteti ynë bëri një hap të ri e të rëndësishëm në aspektin institucional kulturor, e teksa për dekada me radhë janë formuar artistë të shkëlqyer të këtij arti të cilët kanë shkëlqyer nëpër teatrot operistikë anembanë botës, tash e tutje ata do ta kenë mundësinë të shfaqen edhe në vendin e tyre. Ne përherë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi muzikantë të talentuar e punëtorë, virtuozë të mediumit muzikor. Tash do të presim prej tyre të shpërthejnë në sallat e koncerteve me pasion dhe gëzim për të ndarë muzikën dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me art dhe kulturë”, ka shkruar Çeku.

Më poshtë postimi i tij i plotë:

Nder, krenari dhe emocion

Sonte mbi 170 profesionistë të muzikës, talentë të dalë nga ky vend, Kosova, e që veprojnë me sukses këtu e në skena të ndryshme botërore, u bënë bashkë në koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.

Ky institucion i rëndësishëm e i sapothemeluar e nisi programin me vënien në skenë të operës “Goca e Kaçanikut ” nga kompozitori ynë i madh, Rauf Dhomi, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.

Ky është fillim i mbarë për një rrugëtim të gjatë dhe shpresëdhënës të muzikës operistike në Kosovë. Sonte shteti ynë bëri një hap të ri e të rëndësishëm në aspektin institucional kulturor, e teksa për dekada me radhë janë formuar artistë të shkëlqyer të këtij arti të cilët kanë shkëlqyer nëpër teatrot operistikë anembanë botës, tash e tutje ata do ta kenë mundësinë të shfaqen edhe në vendin e tyre.

Ne përherë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi muzikantë të talentuar e punëtorë, virtuozë të mediumit muzikor. Tash do të presim prej tyre të shpërthejnë në sallat e koncerteve me pasion dhe gëzim për të ndarë muzikën dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me art dhe kulturë.

Ndërsa paralelisht punohet për funksionalizimin e vetë institucionit të Operës dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, kjo natë le të kujtojë se toka jonë është plot talent dhe dashuri.

Dua t’i falenderoj të gjithë ata që punuan me aq përkushtim që kjo natë të na sjellë kaq shumë pozitivitet e energji të mirë.