“Enigma e poezisë”, libri më i ri nga Sabri Hamiti

“Enigma e poezisë”, libri më i ri nga Sabri Hamiti

Kultura September 22, 2021 - 14:47

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është bërë sot përurimi i librit më të ri të shkrimtarit të njohur, njëherësh profesor i letërsisë, Sabri Hamiti.

I titulluar “Enigma e poezisë”, Hamiti tha se ky libër është një dramë e vogël e kapërcimit nga shkrimi intim në leximin publik.

“Akti në vetvete e ka aventurën e librit të parë, si libër i fundit, apo andrrën autoriale të librit të fundit, si libër i parë. Po, le të jetë kjo fjalë e imja edhe si confession. Sa herë e zë veten ngushtë, poezia më shpëton, si ilaç a si farmakon. Poezia që thur enigmën, duke lënë shteg për zgjidhjen e saj. Prandaj, poezia është mirazi i parë dhe i fundit, që mund të jepet dhuratë për lexuesin e panjohur; ashtu dhe miqtë që bëhen bashkëbisedues në tryezën e nivelit të familjaritetit letrar”, ka thënë Hamiti.

Ai ka bërë të ditur se për ta shkruar këtë libër ka rivizituar poetë, e dijetarë të shqipes të shekullit XX dhe XXI.

“Gjergj Fishtën, i cili bashkon me zemër të hapur Zotin e Zanën, për të krijuar poezinë e idealitetit letrar të botës shqiptare, të cilin idealitet e mbron fuqishëm, po si veprën e vet. Lazër Shantojën, krijues e kanonist, që në aventurën poetike bëhet skandalizuesi i parë, i cili “Për nji puthje të vetme” krijon e shkatërron kurorën e lirikës personale me dashurinë. Ernest Koliqin, shkrimtar e poet, që me tharmin e artit poetik projekton kanonin letrar shqiptar në integralitetin e plotë të kësaj letërsie. Martin Camajn, i cili krijon poezi të rrënjës së vet, pastaj e lexon vetveten (i privuar nga lexuesi), për të zbuluar në fund enigmën me shqiptimin e palimpsestit të vet poetik. Rexhep Ismajlin, gjuhëtar e dijetar letrar, i cili jeton dramën, si “gjendje të ndërmjetme”, të përkthyesit të poezisë, si rikrijues, për të rritur komunikimin e saj poetik e kulturor. Zef Zorbën, i cili refuzon refuzimin duke shkruar vetëm një libër, libër të mbetur në dorëshkrim, librin e jetës e të alternativës moderne poetike”, është shprehur Hamiti. /Zëri

Fjala e tij e plotë:

DASHUNUESIT E POEZISË

Të dashur miq e kolegë,

Ju ndiej që jeni këtu të pranishëm në një solemnitet ditunor e shpirtëror, të paraqitjes së librit tim “Enigma e poezisë” në Akademi. Ky është libri i pestë që më ka botuar Akademia në dy deceniet e fundit, pas librave: “Tematologjia”, “Albanizma”, “Utopia” e “Testamenti”, për të bërë një Poetikë Shqipe.

Kjo paraqitje është një dramë e vogël e kapërcimit nga shkrimi intim në leximin publik. Akti në vetvete e ka aventurën e librit të parë, si libër i fundit, apo andrrën autoriale të librit të fundit, si libër i parë.

Po, le të jetë kjo fjalë e imja edhe si confession.

Sa herë e zë veten ngushtë, poezia më shpëton, si ilaç a si farmakon. Poezia që thur enigmën duke lënë shteg për zgjidhjen e saj. Prandaj, poezia është mirazi i parë dhe i fundit, që mund të jipet dhuratë për lexuesin e panjohur; ashtu dhe miqtë që bëhen bashkëbisedues në tryezën e nivelit të familjaritetit letrar.

Për të zgjidhur enigmën, rivizitova poetë, përkthyes e dijetarë të shqipes të shekullit XX dhe të shekullit XXI.

Gjergj Fishtën, i cili bashkon me zemër të hapur Zotin e Zanën, për të krijuar poezinë e idealitetit letrar të botës shqiptare, të cilin idealitet e mbron fuqishëm, po si veprën e vet.

Lazër Shantojën, krijues e kanonist, që në aventurën poetike bëhet skandalizuesi i parë, i cili “Për nji puthje të vetme” krijon e shkatërron kurorën e lirikës personale me dashurinë.

Ernest Koliqin, shkrimtar e poet, që me tharmin e artit poetik projekton kanonin letrar shqiptar në integralitetin e plotë të kësaj letërsie.

Martin Camajn, i cili krijon poezi të rrënjës së vet, pastaj e lexon vetveten (i privuar nga lexuesi), për të zbuluar në fund enigmën me shqiptimin e palimpsestit të vet poetik.

Rexhep Ismajlin, gjuhëtar e dijetar letrar, i cili jeton dramën, si “gjendje të ndërmjetme”, të përkthyesit të poezisë, si rikrijues, për të rritur komunikimin e saj poetik e kulturor.

Zef Zorbën, i cili refuzon refuzimin duke shkruar vetëm një libër, libër të mbetur në dorëshkrim, librin e jetës e të alternativës moderne poetike.

Rivizitimi vijon edhe me “Shejzat” poetike të autorëve bashkëkohorë, në shekullin XXI, nga Rrahman Dedaj deri të Eqrem Basha.

Tani që jemi këtu, të gjallët me të gjallë, të baraslarguar e të barasafruar nga rrethanat e reales, duke falënderuar nga zemra kolegët e nderuar, vlerësoj:

Eqrem Bashën, për figurën sharmante e spontane, që vjen duke u rrudhur në elipsë, si te Anton Pashku apo te Beketi.

Nysret Krasniqin, kur zbërthen kuptimin poetik dhe filozofik të poezisë, duke e kaluar nëpër sitën e hermeneutikës së Gadamerit; ashtu dhe dekonstruksionin sipas Zhak Derridas.

Dhurata Shehrin, për shprehjen e saktë dhe gjykimin e prerë, edhe kur e merr “malli i stampës” i Ernest Koliqit edhe kur kanonizon dhe dekanonizon, simbas Harold Blumit.

Dhe Persida Asllanin, në fund apo në fillim, që me prekje të lehtë i shkund pemët e ndjesisë e të mendimeve, duke rrjetuar tekstin fin, à la Rolan Bart.

Më në fund, po më duket që sprovat e leximit dhe të kërkimit të enigmës së poezisë ma dhurojnë një njohje: Poezia, si thelb i arteve, nuk është tjetër përpos e vërteta njerëzore e thënë bukur.

Atëherë, dijetari letrar e ka më mirë të kalojë në statusin e dashunuesit të poezisë, duke dashunuar bukurinë e saj. Dhe tash, të gjithë bashkë, bëhemi dashunues të bukurisë.

Pasfjalë (përfundimi i librit “Enigma e poezisë”)

Dorëshkrimi është kalimi i zërave në germa me një shkrim të dorës; Dorëshkrimi është tekst i pabotuar asnjëherë. Shkrimi për Dorëshkrimin është mister i leximit të parë. Këtë mundësi ia jep tjetrit vetëm miku i letrave.

Leximi i parë me shkrim domosdoshmërisht i lidh gatitjen e poezisë me përgatitjen për leximin e poezisë.

Leximi i parë, i lirë e zbulues, bëhet në nivel të mahnitjes me tekstin, mahnitje që krijon një shpërthim emocional. Leximi tjetër i shton shenja tekstit, duke nënvizuar fjalë, figura e vargje, si parathënie të kuptimeve të gjetura, madje duke shkruar në margjina të fletëve. Një lexim, tash tjetër, shpalon poezitë, i rivë në komunikim me njëra tjetrën në cikle dhe të cikleve në tërësinë e librit.

Kur mbaron përgatitjen, fillon aventura e shkrim/leximit, duke krijuar lumturinë e njësimit të botëve që kanë vënë komunikim: të Krijuesit e të Lexuesit, si Rikrijues. Mjeshtëria për të vënë në rrjet poetik botët, duke çelur fjalët e kuptimet, për ta takuar bukurinë, me ndjesi, mendim, intuitë, dije.

Ars longa, Vita brevis.