“Lufta në kohën e dashurisë”, nga Kosova në Turqi

“Lufta në kohën e dashurisë”, nga Kosova në Turqi

Kultura korrik 12, 2015 - 08:46

173 aktorë turq konkurrojnë për shfaqjen nga Kosova

“Lufta në kohën e dashurisë” e dramaturgut Jeton Neziraj është përkthyer dhe është botuar në gjuhën turke dy vjet më parë, ndërsa vetëm tani inskenohet në “Nilüfer Manucipality Theatre”, në Bursa të Turqisë. Audicioni i hapur për aktorë që duan të jenë pjesë e kësaj shfaqjeje ka mbledhur 173 aktorë, prej të cilëve do të pranohen gjashtë, ndërsa regjisorja e shfaqjes Blerta Rrustemi – Neziraj, është duke kërkuar aktorë që janë të talentuar edhe në këndim dhe vallëzim.

"Lufta në kohën e dashurisë" apo “Aşk Zamanı Savaş” në gjuhën turke është përkthyer nga Senem Cevher. Premiera e shfaqjes, ku katër gra të çuditshme rrëfejnë intimitetet, pasionet, marrëzitë, sekretet dhe dëshirat e tyre, do të jepet në janar të vitit 2016. Ato kanë krijuar një botë të përbashkët imagjinare, ku loja e argëtimi bëhen streha e tyre për të mbijetuar, shkruan sot gazeta Zëri. 

Regjisorja Blerta Rrustemi – Neziraj, ka thënë se konkursi ka qenë i hapur për regjisorë turq dhe të huaj, ndërsa është njoftuar rastësisht për këtë nga përkthyesja turqisht e dramës “Lufta në kohën e dashurisë”, Senem Cevher.

“Ajo në të vërtetë më ka njoftuar për detajet e konkursit dhe kërkesat e konkursit. Atyre, pos biografisë, ua kam përcjellë edhe videot e shfaqjeve të mia të mëparshme dhe një koncept për shfaqjen”, ka treguar Rrustemi – Neziraj për “Zërin”, për shfaqjen ku 28 skenat fluturojnë para publikut, si në përrallat me magjistarë, duke shpalosur me humor, stereotipa e klishe sentimentale, tregime e muhabete grash: për dashurinë, frikën, hakmarrjen, e të shkuarën e trishtë.

Juria që ka përzgjedhur projektet ka qenë e përbërë nga tetë anëtarë, në mesin e të cilëve kishte regjisorë, aktorë, dramaturgë e studiues teatri. “Nga gjithsej 42 propozime për shfaqje kanë përzgjedhur katër, ndër to edhe projektin tonë për shfaqjen ‘Lufta në kohën e dashurisë’”, ka thënë Blerta Rrustemi – Neziraj, që në gjuhën turke është përkthyer me titullin “Aşk Zamanı Savaş”.

Shfaqja me regji të Blerta Rrustemi – Neziraj, do të realizohet gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të këtij viti, si pjesë e sezonit 2015-2016. “Për mua si regjisore ky është një shans i madh, meqë është hera e parë që do të punoj jashtë Kosove”, ka thënë Rrustemi – Neziraj, e cila shpreson se shfaqja do të pritet mirë nga publiku turk. “Çështjet që trajton janë probleme universale dhe besoj që publiku do t’i njohë ato probleme pa ndonjë vështirësi”, është shprehur regjisorja.

Shfaqja “Lufta në kohën e dashurisë” është prodhim i “Nilüfer Manucipality Theatre” për sezonin e radhës, ndërsa Blerta Rrustemi – Neziraj momentalisht gjendet në Bursa për realizimin e audicionit, për përzgjedhjen e aktorëve.

“Përzgjedhja do të jetë e vështirë meqenëse se janë 173 aktorë që kanë konkurruar për t’ju nënshtruar audicionit për vetëm 6 role të shfaqjes. Shpresoj se do t’i përzgjedh aktorët më të mirë”, ka thënë regjisorja  Rrustemi – Neziraj, e cila për shfaqjen e saj kërkon aktorë të talentuar në vallëzim e këndim.

Meqenëse drama e Jeton Nezirajt është e përkthyer në gjuhën turke, po në këtë gjuhë do të jepet edhe shfaqja.

“Shfaqja të cilën do ta inskenoj në Turqi, natyrisht nuk do të jetë si kjo që kam inskenuar në Prishtinë, duke pasur parasysh kontekstin e vendit në të cilin do të punohet kjo shfaqje, madje do të ketë edhe ndryshim për sa i përket numrit të aktorëve në skenë”, është shprehur Blerta Rrustemi – Neziraj, për të shtuar se do të ishte e mërzitshme edhe për të si regjisore të riprodhonte të njëjtën punë që ka bërë me aktorët në Prishtinë.

“Provat e shfaqjes do të fillojnë në fillim të muajit dhjetor të këtij viti, ndërkaq premiera do të jetë në fund të janarit 2016”, ka treguar regjisorja.

“Lufta në kohën e dashurisë” është dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 5 maj të këtij viti, me aktorët: Aurita Agushi, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Albulena Kryeziu dhe Molikë Maxhuni.

Këto katër gra bëjnë depilim dhe forma të tjera të torturës kozmetike, derisa llafosin rreth dashurisë në jetët e tyre, thotë Gilles Boulan, “Le Billet des Auteurs de Théâtre”, Paris, teksa flet për shfaqjen “Lufta në kohën e dashurisë”. Metafora e sallonit të bukurisë, shtesë e kësaj bote të shtirjes, ku zbukurimi shpeshherë ka të bëjë me fshehjen - ndaj vetes dhe tjetrit – përdoret për ta bërë këtë botë të post-luftës të mundshme dhe të jetueshme, shprehet më tej ai në vlerësimin për shfaqjen.

“Dhe prapa një titulli mjaft provokativ - gjë që përmban në vete njëlloj oksimoroni (kundërshtie) – që shndërron, thënë kushtimisht, përbërësit e një kokteji eksplodues, në fjalë të tjera drama reflekton me humor dhe me imagjinatë shkëputjen e ish-Jugosllavisë”.  

Në Turqi janë vënë në skenë edhe tri drama të dramaturgut Jeton Neziraj, ndërsa deri më tani, janë botuar tetë drama të tij në gjuhën turke./Zëri