Zharku: Ky është viti më i mirë i kinematografisë kosovare

Zharku: Ky është viti më i mirë i kinematografisë kosovare

Kultura July 17, 2021 - 12:19

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova është duke shpërthyer me suksese filmike në rrafshin ndërkombëtar. Ai thotë se sukseset e fundit janë arritur falë punës serioze që kanë bërë të gjithë faktorët relevantë. Zharku, ndër të arriturat më të mëdha të kinematografisë së Kosovës, e konsideron suksesin e filmit "Zgjoi", që siç thotë ai, bëri histori në "Sundance Film Festival"

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zharku, për të dhjetin vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) vazhdon të jetë e pranishme në Festivalin e Kanës. Ju jeni edhe këtë vit atje. Këtë herë, cila është e veçanta e pjesëmarrjes së Kosovës?

Arben Zharku: Ka dhjetë vjet që Qendra Kinematografike është prezente në tregun më të madh të filmit në Marche Du film në Kanë në Festivalin e Kanës, ku ne promovojmë çdo vit kinematografinë e Kosovës dhe atë çka ofron Kosova si potencial për produksionet ndërkombëtare.

Mirëpo, sivjet prezenca jonë ka një rëndësi të veçantë sepse për herë të parë në historinë e kinematografisë sonë, Kosova është prezente në programin e Festivalit të Kanës me dy projekte filmike, me “Luaneshat e Kodrës”, premiera e të cilës u dha më 8 korrik dhe “Pa vend” të regjisorit Samir Karahoda, që u shfaq më 16 korrik në konkurrencën kryesore të kategorisë së filmit të shkurtër. Kjo është e veçanta dhe moment historik për ne. Të tillë e quajmë sepse është festivali më i madh dhe mundësia për të qenë pjesë e programit është nder i veçantë.

E rëndësishme është që pas këtij festivali, këta dy filma kanë marrë edhe shumë konfirmime për festivale të tjera shumë të rëndësishme. Pra, karriera e dy regjisorëve Luana Bajramit dhe Samir Karahodës nga tani do të jetë shumë ndryshe. Do të kenë vëmendje dhe mbështetje ndërkombëtare për projektet e tyre të ardhshme. Bota do të njohë më shumë për këta krijues, për këto filma, por edhe për vendin tonë.

Prezenca jonë është gjithashtu shumë e rëndësishme sepse kemi arritur marrëveshje me disa shtete për bashkëprodhim në fushën e kinematografisë, si me shtetin e Izraelit, Luksemburgut, Francës, Bullgarisë dhe gjithashtu jemi në fazë të negociatave edhe me shtetin e Kroacisë. Pra, janë disa takime që kemi pasur këtu me udhëheqësit e këtyre shteteve, në mënyrë që të nxisim bashkëprodhimin me këto vende, por në të njëjtën kohë edhe të shtrojmë një bazë të mirë ligjore të bashkëprodhimit dhe të qasjes të projekteve kosovare në fondet e këtyre shteteve.

Radio Evropa e Lirë: Sa është prezente Kosova në festivalet e filmit dhe sa ka arritur arti kosovar të depërtojë në rrafshin ndërkombëtar?

Arben Zharku: Sivjet padyshim është viti më i veçantë për kinematografinë tonë sepse filmi “Zgjoi” (Hive) bëri histori në “Sundance Film Festival”, duke u bërë filmi i vetëm, që deri më tani, ka arritur të fitojë tri çmimet kryesore të këtij festivali kaq të rëndësishëm. Pastaj filmi “Në kërkim të Venerës” ishte në Roterdam ku fitoi çmimin special të jurisë. Mandej kishim prezencë në festivale të tjera në Kopenhagë, Kani, Lakorno dhe disa festivale të tjera, të cilat nuk mund t’i përmend tani për shkak që publikimi do të ndodhë në ditët dhe javët në vazhdim. Mirëpo, ky vit ka qenë ndër vitet më të rëndësishme, duke pasur parasysh sukseset e këtyre filmave që kanë qenë në këto festivaet e mëdha, por duke mos i harruar edhe filmat e tjerë të cilët janë realizuar më herët, por kanë vazhduar të jenë prezentë në shumë festivale të tjera ndërkombëtare. Ky është viti më i mirë deri tani, që ne e njohim.

Radio Evropa e Lirë: Në Bosnjë dhe Hercegovinë ka nisur xhirimi i filmit për ilirët, me skenar dhe regji të Simon Bogojeviq. A mund të na tregoni më shumë për këtë film dhe në bashkëpunim me kë po realizohet?

Arben Zharku: Ky është një projekt që vjen nga Kroacia, ku Kosova është në bashkëpunim minor. Por, e veçanta e këtij filmi është që shumica e aktorëve kryesorë ose të gjithë aktorët kryesorë janë nga Kosova. Këtë e ka kërkuar regjisori i filmit, i cili po e bën një film për ilirët.

Filmi do të xhirohet në gjuhën ilirishte. Kjo është një gjuhë shumë e veçantë sepse nuk është gjuhë që flitet tani, mirëpo autori ka punuar me shumë studiues dhe e kanë shpikur, në njëfarë mënyrë, një gjuhë ilirishte, e cila do të flitet në film.

Përveç gjuhës, aktorët ose fiziku i tyre, ose mënyra sesi duken shqiptarët, ka qenë arsyeja pse regjisori ka vendosur që t’i marrë në film sepse ngjasojnë më së shumti me ilirët. Ky është një projekt jashtëzakonisht i mirë sepse ka disa shtete që janë të përfshira dhe që e kanë mbështetur këtë projekt filmik, përfshirë Kroacinë, Kosovën e disa shtete të tjera, në ndërkohë edhe fondi evropian Euro-imazhe e ka mbështetur këtë film. Pra, një bashkëpunim rajonal për një temë mjaft interesante dhe është një prezencë jashtëzakonisht e madhe, kreative, e ekipit të Kosovës që merr pjesë në këtë film.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë niveli ndodhet sot kinematografia e Kosovës?

Arben Zharku: Jo që e them unë tani, mirëpo kritika ndërkombëtare e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë dhe vazhdon ta vlerësojë filmin. Momentalisht, Kosova është duke shpërthyer me suksese të ndryshme kudo në botë dhe kjo ka bërë që kritika ndërkombëtare ta vlerësojë lartë, sidomos krijimtarinë ose krijuesit që vijnë nga Kosova, gratë regjisore, të cilat për dallim nga vendet të tjera, në Kosovë ka një barazi gjinore sa i përket përkrahjes që u është bërë projekteve filmike të metrazhit të gjatë.

Pra, suksesin më të madh janë duke e treguar regjisoret gra, të cilat kanë trajtuar kryesisht tema sociale, ku në fokus kanë pasur personazhet gra, ballafaqimin e tyre me shoqërinë në Kosovë, tema të cilat janë kosovare, por janë edhe globale sepse probleme të tilla mund të gjenden kudo në botë. Ka bashkëprodhime me shtete të ndryshme dhe kjo ka ndikuar shumë që fondet evropiane të hapin më shumë dyer për mbështetjen e projekteve që janë duke ndodhur tani në vazhdim, dhe kjo njohje ndërkombëtare është jashtëzakonisht e rëndësishme për krijuesit në Kosovë, por është një meritë e të gjithë atyre që gjatë këtyre shtatë-tetë apo dhjetë vjetëve të fundit kanë punuar me një përkushtim të madh, në mënyrë që puna e tyre të njihet në këtë nivel ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë politika e QKK-së për financimin e projekteve filmike?

Arben Zharku: Politika kryesore është kualiteti, do të thotë ne asnjëherë nuk kemi caktuar kritere se çka qendra duhet të mbështesë, përveç kritereve, teknikave. Mendoj që gjëja kryesore është që juria apo komisioni që bënë përzgjedhjen e projekteve filmike të jenë njerëz kredibil [vendorë dhe ndërkombëtarë] të cilët bëjë përzgjedhjen adekuate.