MKRS-ja emëron ish-kandidaten e LVV-së për deputete në Këshillin Drejtues të TKK-së

MKRS-ja emëron ish-kandidaten e LVV-së për deputete në Këshillin Drejtues të TKK-së

Kultura May 08, 2021 - 01:08

Me vendim të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, janë shkarkuar anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe menjëherë janë emëruar shtatë anëtarët e rinj të tij.

Kështu ka bërë të ditur MKRS-ja, e cila njoftoi se Këshilli i ri Drejtues, me mandat 4 vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi, raporton Zeri.info.

"Qeveria e re i trajton me prioritet të veçantë institucionet kombëtare të kulturës. Vendimi i sotëm është i hapi i parë për ndërtimin e një vizioni të ri për Teatrin e Kosovës", thuhet në njoftimin për media të MKRS-së.

Ditëve në vijim, Ministria ka thënë se do të ndërmarrë veprime tjera për institucionet kombëtare të kulturës që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale, pavarësinë programore dhe artistike, zhvillimin e audiencave, ngritjen e kapaciteve profesionale dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit vendor artistik.

Kujtojmë se ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit, pati thënë se do të bëjë departizim të institucioneve kulturore.

Por, duket se premtimi shkoi huç me emërimin e regjisores Shkurtë Aliu në KD të TKK-së, që është edhe organi më i lartë drejtues i TKK-së.

Aliu është anëtare e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, të cilës i takon edhe ministri Çeku.

Ajo njëjta kishte garuar për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, por që nukk ishte arritur të merte votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.

Agron Shala, Ramadan Musliu, Feim Maliqaj, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Samka Ferri e Ismet Azemi ishin emëruar në KD të TKK-së tetorin e kaluar nga ish-qeveria. /Zëri