Kurti në “Rolling Film Festival”: Dallimet kulturore nuk duhet të na ndajnë, por të na bashkojnë

Kurti në “Rolling Film Festival”: Dallimet kulturore nuk duhet të na ndajnë, por të na bashkojnë

Kultura April 20, 2021 - 21:21

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka marrë pjesë sot në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të gjashtë të “Rolling Film Festival”, që u mbajt nga 16-20 prill, në Prishtinë.

Kurti përgëzoi organizatorët për organizimin e festivalit duke respektuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë kundër pandemisë.

"E çmoj lartë faktin se Rolling Film Festival është bërë ngjarje e rëndësishme artistike në Kosovë, përmes të cilit pasqyrohet jetesa e komunitetit rom, mbështetet arti dhe kultura rome që ndihmon për të luftuar paragjykimet dhe gjuhën e urrejtjes", tha kryeministri në fjalimin e tij në skenën e Teatrit Kombëtar.

Ai tha se romët në Kosovë janë pjesë përbërëse e shoqërisë, me të drejta të barabarta e të garantuara, por me probleme të shumta, sikurse janë edhe një pjesë e mirë e komuniteteve tjera.

"Arsimi, punësimi dhe pjesëmarrja e integrimi janë probleme që e shoqërojnë komunitetin rom e të cilat duhet t’i zgjidhim së bashku", theksoi ai.

Gjatë kësaj ceremonie Kurti tha se ky festival i filmit duhet t’i shërbejë shoqërisë për të kuptuar më mirë dhe më drejt nevojat e komunitetit rom por edhe të rrisë ndërgjegjen për të krijuar një shoqëri që nuk përjashton.

"Si shumicë ne duhet të afrojmë pakicën që të bëhet pjesëmarrëse brenda nesh e me ne, prandaj edhe qasja jonë është që pakicat të jenë pjesë përbërëse e jo e veçantë. Kështu kemi vepruar me grupin tonë parlamentar vitin e kaluar e kështu po veprojmë në qeverinë tonë të re, pra përmes fuqisë së shembullit.Origjina, kultura e historia ekziston për të treguar se kush jemi dhe nga vijmë, atë se ndryshojmë dot, sepse është e vërteta jonë e nuk e zotërojmë dot të shkuarën, por të ardhmen mund ta krijojmë dhe ndryshojmë së bashku sepse atë e kemi në duar", tha Kurti.

Festivali u mbyll sot, por audienca do të mund të shohë filmat e festivalit deri më datë 27 prill 2021.ë /Zëri