Infektuar: 97996
Shëruar: 82064
Vdekur: 1988
Dua Lipa dhe Dj Regard të nominuar në “Brit Awards”

Dua Lipa dhe Dj Regard të nominuar në “Brit Awards”

Kultura April 01, 2021 - 18:56

Pas dominimit total të meshkujve në “Brit Awards” të vitit të kaluar duke ngulitur kështu pabarazinë e qartë gjinore në popin britanik, nominimet e këtij viti shkuan në njëfarë mënyre për të korrigjuar ekuilibrin, shkruan “The Guardian”, transmeton “Zeri.info”.

Dua Lipa, Arlo Parks, Celeste, Joel Corry dhe Young T & Bugsey kryesojnë me nominime këtë vit, me nga tre secili. Edhe në kategorinë e albumeve britanike, katër nga pesë të nominuarit janë femra, që ndodh për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, ndërsa emrave të sipërpërmendur iu bashkohen edhe Jessie Ware dhe J Hus – një përmirësim i dukshëm nga viti 2020, kur kategoria nuk përmbante asnjë femër.

Nga 176 albume të pranueshëm, 121 ishin të punuar nga burra ose grupe të tëra të meshkujve, 55 nga gra ose grupe me gra dhe një nga një artist i papërcaktuar gjinor si Sam Smith.

Më shumë se gjysma e të nominuarve për kategoritë albumi britanik, për solo-artiste, solo-artistë, artistë me potencial dhe për single janë jo të bardhë, duke reflektuar mbizotërimin e fortë dhe evolucionin e repit dhe muzikës R&B britanike, si dhe larminë e “Brit Academy”.

Me afërsisht 1,500 anëtarë, përfshirë artistë, menaxherë, promovues, figura mediatike dhe staf të labeleve, juria e këtij viti arriti barazi gjinore dhe 26% janë përfaqësim etnik nga të zinjtë, aziatikët dhe ata të pakicave.

Dua Lipa është shndërruar tashmë në një figurë të dashur për ceremoninë “Brits”: më 2018, ajo fitoi çmimin për aktin më të mirë me potencial dhe atë për solo artisten femër britanike, dhe për singlin britanik në 2019 për “One Kiss”, këngë kjo në bashkëpunim me Calvin Harris.

Në kategorinë për singlat më të mirë britanikë, përfshihen 10 këngët më të suksesshme britanike të 10 muajve të fundit, si dhe zbulohen disa nga pabarazitë e vazhdueshme gjinore në popin britanik.

Dua Lipa është e vetmja artiste femër që ka hyrë në këtë garë me këngën e saj “Physical”, këngë e cila është e prodhuar krejtësisht nga gratë. Të tjerat në këtë kategori përfshijnë dy gra që kanë bashkëpunime me prodhuesit meshkuj: Gracey me 220 Kid për një remix të singlit të saj “Don’t Need Love”, si dhe Raye dhe shqiptari Regard për këngën “Secrets”.

Kujtojmë se DJ Regard, emri i të cilit është Dardan Aliu, vjen nga Kosova, por që ka bërë emër nëpër botë me hitin e tij “Ride it”, një remix ky i këngës së Jay Sean të vitit 2008. Kjo këngë u shndërrua në një sensacion viral në “TikTok”, duke arritur kështu sukses ndërkombëtar. /Zëri