Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
Eurovisioni vendos përfundimisht, Bjellorusisë i ndalohet pjesëmarrja këtë vit

Eurovisioni vendos përfundimisht, Bjellorusisë i ndalohet pjesëmarrja këtë vit

Kultura March 27, 2021 - 09:48

Konkursi i këngës “Eurovision” ka vendosur përfundimisht që Bjellorusia nuk mund të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të garës.

Më 10 mars “Eurovisioni” i kishte shkruar transmetuesit BTRC i cili është përgjegjës për hyrjen e Bjellorusisë në këtë konkurs të këngës, që të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të ndryshuar përfaqësuesin e tyre në ngjarjen e këtij viti duke u siguruar që ai është në përputhje me rregullat e konkursit.

Kjo pasi kënga përfaqësuese e Bjellorusisë e bendit “Galasy ZMesta” e cila ishte refuzuar nga Eurovisioni, konsiderohej një propagandë për presidentin Lukashenko. Organizatorët patën thënë thënë se kënga duhet të ripërpunohet ose Bjellorusia do të diskualifikohet. Kënga, e cila përmban vargje të tilla si “unë do të të mësoj të kalosh limitin” dhe “unë do të të mësoj të gëlltitësh karremin”, pati sjellë reagime të ashpra nga njerëz të opozitës.

BTRC-ja kishte paraqitur një këngë të re, nga i njëjti bend muzikor që ishte refuzuar, brenda periudhës së paraparë mirëpo Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) dhe bordi udhëheqës i garës ka vlerësuar se paraqitja e re është në kundërshtim me rregullat e garës të cilat sigurojnë se ajo nuk është e instrumentalizuar dhe është jopolitike.

“Meqenëse BTRC-ja ka dështuar që të paraqesë një garues të pranueshëm brenda kohës që ishte kërkuar, fatkeqësisht, Bjellorusia nuk do të marrë pjesë në edicionin e 65-të të Eurovisionit që zhvillohet në muajin maj të këtij viti”, thuhet në komunikatën për media të Eurovisionit.

Grupi “Galasy ZMesta” është i njohur për talljet me protestat masive kundër presidentit autoritar Alexander Lukashenko, të cilat janë shoqëruar me masa të dhunshme që nga zgjedhjet e kontestuara presidenciale në gusht të vitit 2020. /KultPlus