“Berlinale 2021” në modusin e pandemisë

“Berlinale 2021” në modusin e pandemisë

Kultura March 01, 2021 - 10:22

Për publikun profesionist Berlinalja nis më 1 mars. Por jo të gjithë filmat do të shfaqen në mars, disa filma do të rezervohen për publikun e gjerë për në qershor, kur dhe mund të shtrohet vërtetë tapeti i kuq.

Berlinalja, festivali i filmit në Berlin, ka shumë rituale. Normalisht pavarësisht dimrit dhe ditëve të ftohta të shkurtit, dashamirësit e kinematografisë gjatë periudhës së festivalit mbushin rrugët përreth godinës së festivalit duke pritur të shohin yjet e kinematografisë që zbresin nga limuzinat me shpresën se mund të marrin ndonjë autogram po mund të bëjnë ndonjë selfie me ta. Pra festivali krijon atmosferë të veçantë. Këtyre u shtohet dhe ushtria e gazetarëve, që nxitojnë nga një konferencë shtypi në tjetrën dhe përpiqen të intervistojnë aktorët e famshëm, që janë të pranishëm në Berlinale. Të gjitha këto aktivitete sivjet nuk do të ndodhin për shkak të kufizimeve prej pandemisë. Festivali nis sivjet pjesërisht nga 1 marsi. Fituesit e kupës Ariu i Artë do të shpallen më 5 mars.

"Berlinalja 2021" me dy evente

Organizatorët kanë vendosur, që festivali të zhvillohet në dy evente të veçanta. “Industry Evenet”, që do të jetë online dhe i kufizuar vetëm me pjesëmarrjen e kineastëve dhe gazetarëve nga 1 deri më 5 mars . Dhe “Summer Special” me shfaqjet publike të filmave nga 9 deri më 20 qershor.

Industry Event në radhë të parë do të jetë një platformë alternativë për tregun europian të filmit (EFM), që krahas Kanës dhe American Film Market është ndër tre pikëtakimet më të rëndësishme të degës ndërkombëtare të filmit dhe medias.

Meqënëse këto veprimtari kanë një rend fiks në kalendarin e industrisë së filmit, duhet që Berlinalja të zhvillohet në tremujorin e rarë të vitit. „Organizimi i të gjithë festivalit në qershor sivjet për të mundësuar sinergjinë e zakonshme të Berlinales me publikun, do të ishte shumë vonë dhe jo e favorshme për degën e kinematografisë”, shpjegon zëdhënësja e shtypit të Berlinales, Frauke Greiner.

Epiqendra e kineastëve

Por edhe pa ushtrinë e tifozëve të filmit java e parë e festivalit në fillim të marsit është mjaft e ngjeshur në Berlinale. Mbi 470 filma nga 60 vende janë në listën e punës përgjatë një jave. Të gjithë janë regjistruar në versionin digjital të EFM. Kësisoj ky format është tërheqës dhe josh mjaft aktorë, sepse me këtë sistem nuk ka kosto udhëtimi. Gati 200 sipërmarrje marrin pjesë për herë të parë në festival, mësohet në faqen e internetit të European Film Market (Tregu Europian i Filmit)./DW./tvklan/