Arkeologët zbulojnë një qerre ceremoniale në Pompeii

Arkeologët zbulojnë një qerre ceremoniale në Pompeii

Kultura March 01, 2021 - 09:18

Arkeologët në Itali kanë zbuluar një karrocë ceremoniale të mbuluar, që e tërhiqnin kuajt pranë qytetit antik romak, Pompeii.

Mjeti transportues me katër rrota u gjet pranë një stalle, ku më parë, në vitin 2018, ishin zbuluar tre kuaj.

Ekspertët kanë thënë se besojnë që ajo është përdorur në festa dhe parada, gjersa gjetjen e kanë përshkruar si “të jashtëzakonshme” dhe “të ruajtur në mënyrë shkëlqyer”.

Qyteti Pompeii ishte përfshirë nga një shpërthim vullkanik në malin Vesuvius dhe sot njihet si një thesar arkeologjik.

Shpërthimi vullkanik e varrosi qytetin nën një shtresë të trashë hiri, duke ruajtur kështu shumë banime dhe shumë ndërtesa të asaj periudhe.

Karroca u gjet në hyrje të një ballkoni që lidhet me stallat në një vilë antike në Civita Giuliana, në veri të mureve të qytetit antik.

Në deklaratën e lëshuar, karroca është përshkruar si qerre ceremoniale, pasi që kishte “përbërës hekuri, dekorime të bukura bronzi dhe kallaji”, si dhe litarë dhe dekorime me lule të zbuluara “pothuajse të paprekura”.

Arkeologët kanë thënë se për të nxjerrë në mënyrë të sigurt karrocën u janë dashur disa javë qëkurse ajo u shfaq për herë të parë më 7 janar gjatë një gërmimi.

Ata kanë thënë se brishtësia e materialeve të përfshira e bëri procesin goxha kompleks dhe se përdorën teknika të veçanta, duke përfshirë përdorimin e allçit për ta nxjerrë karrocën të padëmtuar.

Operacioni u krye në bashkëpunim me një zyrë të prokurorisë lokale, në mes të përpjekjeve kriminale për të plaçkitur sendet e trashëgimisë kulturore nga vendi, duke përdorur mjete të tilla si tunele të paligjshme.

Zyrtarët e përshkruan karrocën si gjetje të jashtëzakonshme në mesin e gjetjeve të tjera në Itali.

“Ky është një zbulim i jashtëzakonshëm, që na ndihmon për ta kuptuar periudhën antike”, ka thënë Massimo Osanna, drejtori i lokalitetit, në një njoftim për media.

Ai ka thënë se disa prej zbukurimeve në karrocë aludojnë se ajo po përdoret për festat e komunitetit, ndoshta përfshirë edhe ceremonitë martesore.

“Duke marrë parasysh që burimet antike aludojnë në përdorimin e ‘Piletumit’ nga priftëreshat dhe zonjat, nuk mund të përjashtohet mundësia që kjo të ketë qenë një karrocë e përdorur për ritualet martesore, pra për ta dërguar nusen në shtëpinë e saj të re”, ka thënë ai.

Dario Franceschini, ministri i Kulturës i Italisë, ka thënë se Pompeii “vazhdon të na mahnitë me zbulimet e tij dhe do ta bëjë këtë edhe për shumë vjet, me 20 hektarë akoma për t’u gërmuar”.

Qyteti antik, i cili shtrihet rreth 23 kilometra në jug-lindje të Napolit, është një vend në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Zakonisht është një nga vendet turistike më të njohura të Italisë, por aktualisht është i mbyllur për shkak të pandemisë.

Folegj: Arkeologët kanë thënë se për ta nxjerrë në mënyrë të sigurt karrocën u janë dashur disa javë qëkurse ajo u shfaq për herë të parë më 7 janar gjatë një gërmimi. / BBC / KultPlus