Egjipti hap për herë të parë fabrikë për kopje artefaktesh

Egjipti hap për herë të parë fabrikë për kopje artefaktesh

Kultura February 24, 2021 - 11:57

Egjipti së shpejti do të përurojë fabrikën e parë të replikave arkeologjike si pjesë e përpjekjeve për të luftuar përhapjen e prodhimeve kineze në tregjet lokale

Egjipti është në përgatitjet e fundit për të përuruar fabrikën e parë e më të madhe të riprodhimeve arkeologjike në Lindjen e Mesme. Projekti ndihmon për të ruajtur të drejtat e Egjiptit në pronësinë arkeologjike në trashëgiminë e vet, si dhe të ofrojë riprodhime egjiptiane si zëvendësim për prodhimet kineze.

Sipas arkeologëve, ky projekt do të ketë një ndikim pozitiv në fushën ekonomike, atë të turizmit dhe të arkeologjisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Mustafa Waziri, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve, kishte thënë se fabrika do të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtave intelektuale për antikitetet egjiptiane.

Waziri ka vënë në dukje se fabrika, që gjendet në zonën industriale të qytetit Obour në krahinën Qalyubia, është ngritur në bashkëpunim me Kompaninë Egjiptiane të Thesareve, si e para e llojit të saj në Egjipt dhe në Lindjen e Mesme.

Sipas deklarimeve të mëhershme, fabrika pritet të hapet në çerekun e parë të këtij viti.

Katërdhjetë e katër artistë të specializuar dhe punëtorë në fusha të ndryshme si skulptura, vizatimi, pikturimi, punimi i metaleve, qeramika, punimet në dru dhe zbukurime do të punojnë në fabrikën prej 10 mijë metrash katrorë.

Fabrika, që kushton 100 milionë paundë egjiptianë (në vlerë prej 6.3 milionë dollarësh) është e pajisur me teknologjinë e fundit, dhe ka vijat e saj manuale e të mekanizuara të prodhimit për të modeluar metalet dhe për të rritur efiçiencën e prodhimeve.

Aty do të jetë edhe një linjë për drurin e zdrukthëtarinë, ndërkohë që është paraparë edhe një sallë ekspozimi për t’i shpërfaqur të gjitha riprodhimet.

Madgy Shaker, arkeologu kryesor në Ministrinë e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit, ka thënë se fabrika do të ndihmojë për të përballuar prodhimet antike të bëra sipas modeleve kineze që kanë vërshuar tregjet lokale dhe ato ndërkombëtare.

“Prodhimi kinez është i cilësisë së dobët dhe me çmim të ulët. Disa turistë i blejnë ato si suvenire dhe ankohen se ato thyhen edhe para se të largohen nga Egjipti për shkak të cilësisë së dobët”, ka thënë ai. “Nëse i shikoni replikat kineze, do të shihni se tiparet e prodhimit iu përngjajnë kinezëve më shumë sesa egjiptianëve të vjetër”, ka shtuar Shaker, duke theksuar se artistët egjiptianë duhet t’i dizajnojnë këto suvenire dhe jo dikush tjetër. Ata do t’i kopjojnë ato nga antikitetet origjinale, ka nënvizuar ai.

Shaker ka thënë se fabrika e riprodhimit do të punojë për të monopolizuar këtë industri në Egjipt. Pazaret e fabrikës do të jenë brenda atraksioneve turistike me qëllim që të arrijnë shitje të mëdha.

“Ministria tashmë ka një njësi për prodhimin e modeleve dhe replikave arkeologjike, por ka fare pak prodhim ndryshe nga prania e një fabrike të specializuar”, ka thënë ai.

Qëllimi i kësaj njësie ishe të mbronte të drejtat e pronësisë intelektuale, ringjalljen e artit të lashtë egjiptian, si dhe zhvillimin e resurseve të Këshillit Suprem të Antikiteteve.

Ndërkohë, fabrika e re do të zgjerojë prodhimet e riprodhimeve arkeologjike përmes rritjes së kapaciteteve.

Kohë më parë arkeologu dhe historiani Francis Amin kishte thënë se modelet arkeologjike konsiderohen si industritë më të rëndësishme të punëdores dhe trashëgimisë, për shkak se ato janë burim i të ardhurave ekonomike për shtetin.

Ai kishte theksuar se skulptorët e moçëm egjiptianë kishin një punëtori për bërjen e statujave – fjala vjen si punëtoria e skulptorit Thutmose, aty ku ishte gjetur statuja magjepsëse e Nefertitit.

Në shumë pjesë të Egjiptit, veçmas në fshatin Qurna, që ndodhet në bregun perëndimor të Nilit përkundrejt Luxorit, industria e falsifikimit të antikiteteve është duke lulëzuar, veçmas në fushën e skulpturave dhe riprodhimeve të vogla arkeologjike.

Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve, secili prodhim i bërë në fabrikë do të ketë një stampë të posaçme të Këshillit Suprem të Antikiteteve, si dhe një certifikatë që thekson se është vepër origjinale, krahas barkodit për identifikim të lehtë që kontribuon në mbrojtjen e prodhimeve të fabrikës nga falsifikimet./KultPlus/