Instalacioni “Skënderbeu, Shën Tereza dhe Musine Kokalari”, mesazhe qytetarëve për korrupsionin

Instalacioni “Skënderbeu, Shën Tereza dhe Musine Kokalari”, mesazhe qytetarëve për korrupsionin

Kultura February 23, 2021 - 10:11

Përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare kanë ekspozuar të kalaja e Tiranës instalacionin me 11 heronj të njohur shqiptarë.  Ideatori Migen Qiraxhi rrëfen se këto mesazhe për korrupsionin janë jo vetëm për qytetarët e ditëve të sotme, por edhe për zyrtarët e shtetit.

Siluetat e 11 heronjve, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Shën Tereza, Shote Galica apo Musine Kokalari etj, janë ekspozuar në Kalanë e Tiranës. Përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare kanë shënuar mbi secilën prej tyre nga një mesazh që u drejtohet qytetarëve dhe ka në fokus korrupsionin në vend. Përmes mesazheve heronjtë, që kanë lënë gjurmë në vendin tonë kërkojnë një premtim nga cilido që do të firmos mbi siluetën e tyre.

“Ajo që do donim është që të ndërgjegjësonim dhe të krijonim një hapësirë për një debat publik për ato çështje që më së paku debatohet. Ne jemi të bombarduar nga rastet korruptive, si koncesionet, tenderët apo aksione politiket, që shpesh i komentojmë jo në të mirë të interesit publik”, shprehet aktivisti Migen Qiraxhi.

Aktivisti Migen Qiraxhi, i cili është dhe një nga ideatorët e kësaj nisme, na rrëfen mesazhin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, i cili la karrigen e deputetit në Perandorinë Osmane për t’i dhënë Shqipërisë Pavarësisë, me aspiratën për të ndërtuar një administratë 100 për qind në shërbim edhe interes të popullit shqiptar.

“Do të donim që qytetarët të shikojnë se heronjtë e tyre kanë sakrifikuar shumë, dhe kërkojnë pak sot. Ky instalacion është edhe për zyrtarët, pasi ne i trajtojmë në aspektin njerëzor-qytetarë, ku nga komshinj që jetojnë me ne, në një moment të caktuar marrin një post dhe krijojnë procesin e korrupsionit. Isamil Qemali, i cili la administratën në Perandorinë Osmane për të bërë një administratë që do u shërbente qytetarëve shqiptarë kërkon që kushdo që firmos në siluetën e tij, t’i premtojë se nëse është zyrtarë i shtetit, të mos u marr ryshfete qytetarëve”, tregon Qiraxhi.

Mes këtyre 11 heronjve tre janë figura femërore, si Shën Tereza, Shote Galica dhe Musine Kokalari. Pasi, aktivisti mendon se rinia shqiptare si njeh mjaftueshëm intelektualët që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e shtetit shqiptar.

“Ne jemi jo vetëm në një komunikimin për çështjen e korrupsionit, por edhe për të përçuar tek të rinjtë shqiptarë kontributin e këtyre figurave, që duhet të njihet. E kemi pas të vështirë me siluetën e Musine Kokalarit, do të ishte edhe më e vështirë nëse do të realizonim edhe siluetën e Sabiha Kasimatit. Për të shmangur këtë mungesë njohurie, që kanë të rinjtë kemi zgjedhur ato figura, portretet e të cilave janë të dallueshme”.

Pas Tiranës, ekspozita do të çelet edhe në qytetin e Korçës. /shqiptarja