
Ilire Vinca do të prezantohet me një ligjëratë në New York, pas nominimit në Ligën e Gruas Profesioniste të Teatrit në Amerikë
Aktorja dhe profesoresha universitare, Ilire Vinca, është nominuar për herë të dytë në Ligën e Gruas Profesioniste të Teatrit në New York.
Ajo së bashku me Zana Hoxhën dhe Burbuqe Berishën kanë arritur të hyjnë në listën prej 18 vende të botës.
Në programin e këtij viti, Vinca do të paraqitet nesër në një ligjëratë virtuale në New York të Amerikës, teksa do të prezantojë temën “Edukimi Teatror: Arritja përtej skenës”.
Për KultPlus, ajo ka rrëfyer emocionin e këtij çmimi të rëndësishëm, të cilën nuk e merr për të parën herë.
“Në kohën kur diplomacia ndërkombëtare është sfidë e vështirë për t’u kapërcyer, jemi krenarë për rolin që artistët luajnë si diplomatë kulturorë duke vendosur dialog krijues, arsimor, jo politik”, thotë për KultPlus Ilire Vinca.
Në anën tjetër, përvoja e saj e parë me këtë çmim ka qenë në vitin 2017.
“Ky është çmim që jepet çdo tre vjet, e për mua hera e parë ka qenë në vitin 2017 dhe tash për herë të dytë e rrita edhe pjesëmarrjen e Kosovës me Burbuqe Berishën dhe Zana Hoxhën”, thotë artistja e famshme.
“Prej 26 vendeve të botës, 18 të nominuara, pjesëmarrja e Kosovës pas Anglisë radhitet e dyta”, tregon Vinca.
Ilire Vinca është profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.