Frrok Kristaj nderohet me çmimin “Anton Çetta”

Frrok Kristaj nderohet me çmimin “Anton Çetta”

Kultura January 18, 2021 - 20:56

Ministria e Kulturës, nëntorin e kaluar themeloi çmimin “Anton Çetta”, i cili sot për punën dhe angazhimin iu nda Frrok Kristajt.

Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi u organizua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku u kujtua jeta dhe vepra e intelektualit, shkrimtarit dhe mbledhësit të folklorit, Prof. Anton Çetta.

Me këtë, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, tha: "Në nëntorin e vitit të kaluar, muajit të 'Anton Çettës', në 100 vjetorin e lindjes, 25 vjetorin e vdekjes së prof. Anton Çettës dhe 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit  të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve, për herë të parë kam themeluar çmimin 'Anton Çetta', që sot për punën dhe angazhimin iu nda z. Frrok Kristaj".

Ajo falënderoi jurinë profesionale që, sipas saj, me përkushtim e kreu këtë detyrë dhe uroi që vepra e Prof. Anton Çettës të lartësohet nga studiues, hulumtues dhe gjenerata të shumta. 

Këtë çmim Kristaj e mori për punën e bërë gjatë gjithë veprimtarisë së tij mbi gjysmë shekulli në fushën e trashëgimisë kulturore e shpirtërore.

"Jam i nderuar me këtë çmim duke pasur parasysh kontributin e Çettës”, ka thënë mes tjerash Kristaj.

Çmimi atij iu nda nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. /Zëri

Image

Image

Image