Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Ikonat e artit kosovar që u shuan gjatë 2020-ës

Ikonat e artit kosovar që u shuan gjatë 2020-ës

Kultura December 31, 2020 - 22:17

Viti që po lëmë pas do të mbahet mend si vit i kobshëm pasi mori me vete edhe disa nga artistët më të mëdhenj në fushën e muzikës dhe artit në Kosovë.

Ata lënë pas vetes një krijimtari të pasur që do të mbahet mend nga shqiptarët, brez pas brezi.

Nexhmije Pagarusha

Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare më 7 shkurt 2020.

Legjenda e këngës shqiptare u lind më 7 maj të 1933 në Pagarushë.

Ajo njihet si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit.

Nexhmie Pagarusha përfundoi shkollën e muzikës në Beograd, dhe gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka performuar në koncerte në vende të ndryshme të botës, duke e bërë kështu Kosovën të njohur kudo që ka hedhur hap.

Kënga më e njohur e saj është ”Baresha”, të cilën e ka kompozuar burri i saj Rexho Mulliqi.

Pagarusha mbajti koncerte në vende të ndryshme të botës, si në Irazel, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në Kosovë e Shqipëri pa dyshim.

Bilbili i këngës shqipe u varros në Pagarushë me një ceremoni familjare, pasi ashtu e kishte lënë amanet.

Ndërkaq, liderët e shtetit, kolegët e qytetarët bënë homazhe në Teatrin Kombëtar para varrimit.

Leze Qena

Ikona e aktrimit, Leze Qena, u nda nga jeta më 25 mars në moshën 85 vjeçare.

Qena e cila do të mbahet mend gjatë si tejet e dashur për publikun shqiptar, la pas vetës shumë filma, skeçe humoristike e seriale.

Leze Qena, shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, për të vazhduar më pas në Prishtinë. Për më shumë se 60 vjet ka qenë e pranishme në shumë shfaqje teatrale në Kosovë.

Qena ishte pjesë e komedisë “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët (viti 2000), “Po e zëm, po e zëm” (viti 1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (viti 1975), “I ikuri” (Viti 1980), “Shkolla e Fshatit” (1987), “Qesh e ngjesh” (1982), “Të gjithë me ne”, (2000), “Familja Moderne” (2001-2011), “Kombinati” (2012-2015), “Çka ka Shpija”.

Aktorja ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës teksa ishte në mjekim intenziv.

Aktorja e madhe u varrosë një ditë pas vdekjes më 26 mars në varrezat e Arbërisë në Prishtinë.

Në varrimin e së ndjerës morën pjesë familjarë dhe miq të ngushtë.

E njohur për rolet e shumta, aktorja Qena u largua nga kjo botë duke lënë pas një karrierë të bujshme profesionale, ikja e së cilës do të lërë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën në vend.

Adem Mikullovci

Aktori i njohur Adem Mikullovci bëri një dedikim shumë emocional për vdekjen e mikes së tij, Leze Qena

Mikullovci, që ka luajtur shumë role përkrah Qenës, ka kujtuar takimin e fundit që ka pas me të.

Ai tha se mes të qeshurave kanë folur se kush nga ata të dy do t’i bashkohet i pari aktorit tjetër të njohur dhe bashkëshortit të Lezes, Xhevat Qenës – që ka ndërruar jetë vite më parë.

“ELIZABETE- Më shkove edhe ti..! A të kujtohet Leze kur ndejtëm bashkë herën e fundit qesheshim me fatin që ne të dy mbetëm Mohikanët e fundit dhe pyeteshim se a thua cili nga ne do të shkon i pari te Xhevati: Unë thash:”Leze unë do të shkoj para teje”…Ti ma kape veshin dhe më bërtite: ”Përkundrazi unë shkoj para teje,mua më ka grua e ty vetëm shok”.. Dhe ja ! Ashtu edhe ndodhi Elizabett.. Mua më latë të fundit dhe unë s’kam qare pa ardh te ju. Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat…. Teatri i jonë Leze -u mbyll” pati shkruar Mikullovci.

Teksa rreth tetë muaj më pas iu bashkua Lezës në amshim.

Aktori i mirënjohur, Adem Mikullovci, ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare më 15 shtator të këtij viti.

Mikullovci bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës (Teatri Kombëtar i Kosovës).

Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd, në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër.

Prej atij viti e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.

Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja”, etj.

Gjithashtu ai ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si “Pas vdekjes” (Çajupi), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës së autorit Q. Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, stand-up komedia “Përgjuesi”, etj.

Pos aktrimit Mikullovci iu bashkua edhe politikës.

Në vitin 1990 ai ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.

Mikullovci hyri sërish në politikë kur u bashkua me Vetëvendosjen në maj të vitit 2017. Në zgjedhjet parlamentare të atij viti, ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës.

Isë Llapqeva

Të martën e 15 shtatori ndërroi jetë edhe këngëtari i njohur i folklorit shqiptar, Isë Llapqeva, në moshën 76 vjeçare.

Isë Llapqeva ndërkohë në vitin 2014 publikoi albumin “Lavdi, Lavdi, Lavdi Legjendave Kombëtare”, kurse “Odat tona janë kanë shkolla”, mbetet projekti i fundit që e lansoi më 10 janar të vitit 2020.

Llapqeva do të mbahet mend gjatë nga të gjithë ata që duan muzikën folklorike.

Avni Mula

Më 29 tetor u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, kompozitori i mirënjohur shqiptar, Avni Mula.

Mula njihet për një numër të madh veprash artistike dhe kontributin e veçantë si artist ndër vite.

Mula u lind në Gjakovë, më 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton.

Karrierën artistike e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, të Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës e shumë të tjera.

Firmën e Mulës e mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Ismet Peja

Më 23 nëntor ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare, kolosi i muzikës së vjetër qytetare shqipe, Ismet Peja.

Varrimi i të ndjerit u bë në varrezat e qytetit të Gjakovës, nën një ceremoni mortore përcjellëse, teksa të pranishëm ishin edhe shumë nga krerët shtetëror.

Qytetarë të shumtë bënë homazhe para arkivolit të doajenit të këngës shqipe, duke kujtuar dhe ngritur lartë veprën e artistit.

Kujtojmë se Peja ishte ndër artistët me përvojë më të gjatë në skenën muzikore shqiptare.

Gjatë karrierës së tij ai solli një sërë projekte si “Knoma kangën sa t’jam gjallë”, “Robi plaket kur donë vet” dhe jo vetëm.

I njohur kryesisht për këngë të vjetra qytetare, Ismet Peja ka qenë dhe do të mbetet perlë e muzikës shqiptare./KK