Infektuar: 58088
Shëruar: 50953
Vdekur: 1456
Tirana “zhvendoset” në Prishtinë, ekspozita për 100-vjetorin e kryeqytetit shqiptar

Tirana “zhvendoset” në Prishtinë, ekspozita për 100-vjetorin e kryeqytetit shqiptar

Kultura December 25, 2020 - 10:56

Tirana mbushi 100 vjet si kryeqytet shqiptar. Nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo edhe shpirti i mikpritjes tiranase.

E një shekull Tirane si kryeqytet u soll nëpërmjet fotografive në Prishtinë.

Nëpërmjet fotografive të përzgjedhura nëpër epoka të ndryshme historia 100-vjeçare e Tiranës kryeqytet zbarkoi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Që nga viti 1920 deri në vitin 2020 prishtinasit patën rastin të shohin copëza të së kaluarës tiranase.

E përshtypjet ishin të ndryshme.

“Të gjitha më pëlqyen, përveç pjesës ku përshkruhen fotografitë e kohës së Enver Hoxhës, Enver diktatorit. Këto të tjerat ishin fotografi të mrekullueshme”, tha Shyqyri Dumani, qytetar.

“Në përgjithësi janë fotografi që tregojnë histori të mirë edhe të arkitekturës të vjetër shqiptare, edhe të patriotizmit. Në përgjithësi janë fotografi të mira dhe është mirë që janë ruajtur si dëshmi. E Tirana mund të ketë ndryshuar shumë në pamje për këto 100 vjet, por ka diçka që ka mbetur ashtu siç ishte”, tha një tjetër qytetar, Milaim Abazi.

“Nga viti 1920 shumë gjëra kanë ndryshuar në Tiranë, ndërtesat, sheshet, rrugët, por ajo çfarë nuk ka ndryshuar mbetet shpirti i njerëzve të këtij qyteti i cili sot, nëpërmjet kësaj ekspozite, u soll edhe në Prishtinë”, tha gazetari Jeton Musliu.

Rikthimin e kujtesës për historinë e Tiranës kryeqytet dhe sjelljen e shpirtit tiranas në Prishtinë, nëpërmjet fotografive, e ka mundësuar fondacioni “Alternativa e së ardhmes”.

“Është një përzgjedhje e rreth 100 tablove me 120 fotografi, ku pasqyrohen momentet më të rëndësishme historike, por edhe transformimi i qytetit të Tiranës. Tirana sado që transformohet, ka atë mikpritjen, ka zemrën e saj bujare, vlerat e fisnikërinë që besoj se brezat do ta kujtojnë gjithnjë me nostalgji”, tha Sajmir Yrsheku, drejtor administrativ i fondacionit “Alternativa e së ardhmes”.

Shkrepja e fotografisë e ndal atë çast dhe e bën kohën të mos lëvizë. Prandaj edhe gjeneratat e mëvonshme fascinohen me atë se si ishte dikur Tirana.

“Regjistrimi dhe vendosja e simboleve mbi godina po më bën përshtypje. Ja ku i kanë vendosur yjet në kohën e sistemit komunist këto simbole”, u shpreh qytetari Mikerem Nushiqi.

“Prej këtyre që i pashë m’u dukën interesant takimet atje të pritjes si austriakëve kur kanë ardhur. Ajo m’u duk interesant. Edhe aty një grup i Kushtetueses m’u duk interesant. Por paska mjaft”, tha Rafet Ademi.

Pas qëndrimit njëjavor në Prishtinë, ekspozita e hapur, për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, sot do të zhvendoset në Ulqin e më pas edhe në Shkup. /topchannel