Nën tingujt e këngës “Të desha me hakikat” i jepet lamtumira e fundit Ismet Pejës

Nën tingujt e këngës “Të desha me hakikat” i jepet lamtumira e fundit Ismet Pejës

Kultura November 23, 2020 - 17:27

Gjakova, Kosova dhe mbarë shqiptaria, i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit, doajenit të këngës popullore e qytetare, njërit prej ikonave të fundit të gjeneratës së artë të muzikës gjakovare, këngëtarit Ismet Peja.

Në ceremoninë e varrimit organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini, në mesin e shumë qytetarëve, morën pjesë edhe përfqaësues të institucioneve qendrore e lokale dhe personalitete të shumta nga jeta kulturore e aristike.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, mes tjerash ka thënë se humbja e këngëtarit Ismet Peja është humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, adhuruesit por edhe tërë vendin tonë, megjithatë, me kontributin e tij, Ismet Peja ka bërë që humbja e tij të jetë vetëm fizike, pasi ai do të jetojë gjatë për breza të tërë tek populli ynë.

Nga ana tjetër, ministrja e ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, duke folur në emër të qeverisë së republikës së Kosovës, ka thënë se Ismet Peja do të kujtohet dhe do të vlerësohet gjithmonë, falë veprës së lënë përmes këngëve të tij, të dashura e të dëgjuara nga tërë adhuruesit e muzikës.

Në emër të komunitetit artistik, një fjalë rasti e ka mbajtur këngëtari Shkëlzen Jetishi, i cili ka rikujtuar se i ndjeri Ismet Peja, me profesionalizmin dhe dashurinë për këngën, ka qenë shembull që është ndjekur nga të gjithë brezat e këngëtarëve që kanë ardhur pas tij, ndërsa në emër të familjes Peja, në këtë ceremoni mortore ka folur, kushëriri dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërm të këngëtarit të ndjerë, Masar Peja i cili ka rikujtuar kontributin dhe trashëgiminë artistike që Ismet Peja e ka lënë pas vetes.

Varrimi i këngëtarit Ismet Peja, është përciellë në sfond nga kënga “Të desha me hakikat”, njëra prej këngëve të para që këngëtari pari regjistruar në fillet e karrierës së tij më shumë se 60 vjeçare./ KultPlus.com