Arti në zi, ndahet nga jeta dirigjenti i njohur

Arti në zi, ndahet nga jeta dirigjenti i njohur

Kultura November 10, 2020 - 11:44

Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare dirigjenti i njohur, Milto Vako. Lajmin e ka dhënë në faqen zyrtare Teatri i Operas dhe Baletit, teksa u shpreh ngushëllime familjarëve dhe të afërmeve të artistit. Vako la pas një sërë veprash që i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare.

“Lamtumirë mjeshtrit Milto Vako. Me hidhërim të thellë Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit Milto Vako. Ai është një nga emrat e nderuar të artin shqiptar në fushën e dirigjimit koral. Mjeshtri u diplomua në konservatorin “Cajkovski” në Moskë si dirigjent kori dhe u specializua më pas në Konservatorin e Parisit”, shkruan TOB.

Aktiviteti artistik i Milto Vako ka nisur dekada më parë si mjeshtër i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Si drejtues i korit të AKVP, sëbashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut brenda dhe jashtë vendit edhe sot, ndër të cilat do të veçonim midis të tjerash: fitues i “Gjerdanit të Artë” të AKVP në Dijon të Francës.

Si mjeshtër kori i TOB përgatiti me profesionalizëm korin e TOB në vepra si “Mrika”, (1966), “Heroina”, (1967), “Skënderbeu”, (1968), etj. Është një ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku së bashku me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare. Autor i një seri përpunimesh e krijimesh origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese në fondin e literaturës klasike korale shqiptare. Prej vitit 1990ai ushtroi detyrën si pedagog në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve.