Infektuar: 34295
Shëruar: 21043
Vdekur: 914
Regjisori Ognjen Gllavoniq, fitues i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

Regjisori Ognjen Gllavoniq, fitues i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

Kultura October 25, 2020 - 13:37

Festivali "Mirëdita, dobar dan!" u mbyll të shtunën në Beograd me ceremoninë e ndarjes së çmimit kryesor, ku fitues u shpall regjisori Ognjen Gllavoniq për filmat 'Dubina 2' (Thellësia 2) dhe 'Teret'.

Sipas një deklarate nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Gllavoniq e fitoi çmimin sepse filmat e tij thyen "zotimin e turpshëm të heshtjes" rreth varrezës masive në Batajnicë, ku ishin fshehur trupat e shqiptarëve të Kosovës nga lufta 1998-1999, dhe kështu bëri një hap të madh në afrimin e shoqërisë serbe dhe kosovare.

Çmimet e festivalit "Mirëdita, dobar dan" u ndahen individëve dhe institucioneve që ndërtojnë marrëdhënie të veçanta ndërmjet shoqërisë serbe dhe asaj të Kosovës, transmeton rel.

Kundër mbajtjes së këtij festivali protestuan organizatat djathtiste.

Disa qindra njerëz, të udhëhequr nga kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, u mblodhën në hapjen e festivalit, valvitën flamurin e Serbisë dhe të partisë “Zavetnici”, mbajtën pankarta me fotografi të manastireve që gjenden në Kosovë dhe brohoritën parulla për Kosovën dhe komente fyese ndaj pjesëmarrësve të këtij festivali.