Infektuar: 38431
Shëruar: 23754
Vdekur: 989
Ministrja Dumoshi përkrah Rahovecin me projekte kulturore dhe sportive

Ministrja Dumoshi përkrah Rahovecin me projekte kulturore dhe sportive

Kultura October 07, 2020 - 15:05

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi ka vizituar sot Komunën e Rahovecit.

Ajo është takuar me kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifi, me të cilin kanë biseduar për disa nga projektet kulturore-sportive, projekte këto që pritet të finalizohen në këtë komunë.

Në një komunikatë për media u bë e ditur se gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi tha se në Rahovec po nisin projekte sportive, si stadiumi sportiv në Ratkoc si dhe stadiumi i qytetit, projekte këto që lidhen direkt me nevojat e qytetarëve.

“Ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në të gjitha komunat e Kosovës bashkëpunojmë, nënshkruajmë marrëveshje, memorandume që lidhen direkt ku qytetarët përfitojnë nga projektet. Jemi në procedurë të tenderimit për dy projekte që janë të rëndësishme për komunën e Rahovecit. Për stadiumin në Ratkoc është paraparë vlera 800 mijë euro. Ndërkaq për stadiumin e futbollit në qytetin e Rahovecit është paraparë vlera 2 milionë euro. Gjithashtu e kemi edhe ndërtimin e palestrës sportive në Krushë të Madhe”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi, zv.ministri Matoshi dhe kryetari Latifi shfrytëzuan rastin të vizitojnë edhe shtëpinë-muze të atdhetarit Ukshin Hoti në Krushë të Madhe.

"Një vizitë kjo emocionuese, e cila të sjellë ndër mend fatin akoma të pandriçuar, sakrificën në burgje e aktivitetin e pareshtur të Ukshin Hotit për çështjen e Kosovës." tha ministrja gjatë vizitës në muze.

Dumoshi ka shpalosur në Rahovec edhe projektin që ka të bëjë me historinë gojore për tragjeditë që ka kaluar Kosova në luftën e fundit. Në këtë projekt do të përfshihen rrëfimet e dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe.

Ajo tha se ky projekt është mbështetur edhe nga Ambasada Amerikane. Projekti i historisë gojore "Rrëfime gojore të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe" do të realizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Po ashtu ministrja Dumoshi foli për rëndësinë e projektit të historisë gojore dhe tha që ky projekt do t’i kontribuonte ruajtjes së kujtesës kolektive.

“Është një projekt i cili është i një rëndësie shumë të madhe, projekti i historisë gojore, me rrëfimet gojore të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe. MKRS-ja me një kujdes shumë të veçantë do të përkrahë edhe këtë profil të mbledhjes së historisë gojore se çka ka ndodhur në Kosovë. Ne do t’i vendosim në pah dhe këto dokumente dhe librat të cilat do të përkthehen edhe në gjuhë të tjera“, tha ajo.

Kurse, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se është i kënaqur që ministrja Dumoshi po i përkrahë projektet e rëndësishme sportive e kulturore për qytetarët e kësaj komune.

“Është mirë që në këto prioritetet tona të cilat i ka komuna e Rahovecit po përfshihen jashtëzakonisht mirë dhe kënaqshëm nga Ministria e Kulturës.”

Ndërkaq, bëhet e ditur se Dumoshi ka vizituar edhe hapësirën ku po planifikohet ndërtimi i stadiumit të qytetit. /Zëri