Orkestra e Harqeve çeli sezonin e ri artistik në Elbasan

Orkestra e Harqeve çeli sezonin e ri artistik në Elbasan

Kultura September 27, 2020 - 19:07

Pandemia mbylli qytetarët në shtëpitë e tyre, por artistët e tejkaluan izolimin përmes organizimeve të ndryshme.

Dy mjeshtrit e artit në Elbasan, Zeqir Sulkuqi dhe Blerim Narazani çelën sezonin e ri artistik në këtë qytet, nëpërmjet performancës së Orkestrës së Harqeve.

Ndërsa mbrëmjes magjike iu bashkuan edhe zërat magjikë të Kastriot Tushës dhe Ulpianë Aliajt.

Për mjeshtrin dhe organizatorin Zeqir Sulkuqi, mbrëmje të tilla i kishin munguar jo vetëm qytetit por edhe atij.

“U pa qysh në fillim dëshira e madhe dhe ajo muzika që na kishte munguar. Dëshira për të qenë me njëri tjetrin. Për të shkëmbyer vërtetë këto emocione muzikore që ne jemi mësuar me këto tërë jetën të jetojmë”, u shpreh Sulkuqi.

Tenori Kastriot Tusha ka thënë se gjithnjë është kënaqësi të rikthehet e të performojë në vendlindjen e tij.

“Kam nderin si gjithmonë të këndoj dhe të jem prezent në qytetin tim të vendlindjes dhe në këtë vend të shenjt”, tha i emocionuar tenori i mirënjohur Kastriot Tusha.

E për sopranen Ulpianë Aliaj jeta duket sikur ka nisur të rilindë pas më shumë se gjashtë muajve kur u mbyllën institucionet kulturore.

“Kjo tregon që fryma gradualisht në të Shqipërinë po rimerr formë edhe kjo është ajo çfarë vlerësoj më shumë në këtë performancë. Sigurisht që unë ndjehem gjithmonë shumë e mirëpritur dhe sikurse në shtëpinë time të dytë do të thoja këtu”, u shpreh sopranoja Aliaj.

Për shkak të pandemisë koncerti u mbajt në kishën Shën Maria në “Lagjen Kala” ndërsa të pranishëm për të shijuar këtë mbrëmje ishin artdashës por edhe personalitet të qytetit. /Zëri