Infektuar: 14939
Shëruar: 12325
Vdekur: 611
“Charlie Hebdo” ripublikon karikaturat kontroverse të Muhamedit 
Foto: LCI

“Charlie Hebdo” ripublikon karikaturat kontroverse të Muhamedit 

Kultura September 01, 2020 - 19:09

Revista satirike franceze, “Charlie Hebdo”, ka ripublikuar karikaturat e Profetit Muhamed që i bëri ata cak të një sulmi vdekjeprurës në vitin 2015.

Ripublikimi vjen një ditë para se 14 persona të dalin në gjykim të akuzuar për ndihmë të dy sulmuesve islamikë ta kryejnë sulmin e tyre të armatosur më 7 janar të vitit 2015.

Dymbëdhjetë persona u vranë, përfshirë edhe karikaturistin e njohur. Pesë persona vdiqën në sulme të ngjashme në Paris ditë më vonë, raporton BBC. 

Sulmet nisën një valë të sulmeve xhihadiste në mbarë Francën. 

Ballina e numrit të fundit përmban 12 karikaturat origjinale të Profetit Muhamed, të cilat u botuan në një gazetë daneze para se të shfaqeshin në “Charlie Hebdo”. Një prej karikaturave paraqet profetin me bombë në kokë në vend të turbanit. Titulli i revistës franceze thotë “Tout ça pour ça” (“E gjithë ajo për këtë”), transmeton Zeri.info.

Në editorialin e saj, revista thotë se shpesh është kërkuar nga ajo të vazhdojë t’i botojë karikaturat e profetit pas vrasjeve të vitit 2015.
“Gjithmonë kemi refuzuar ta bëjmë atë, jo pse është e ndaluar – ligji na lejon – por sepse kishte nevojë për një arsye të mirë për të, një arsye që ka kuptim dhe e cila i kontribuon debatit”, thotë editoriali i revistës. 
“Riprodhimi i karikaturave në javën e gjykimit të sulmeve terroriste të janarit 2015, për ne ishte qenësor”. 
Çka ndodhi më 2015?
Më 7 janar, vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi hynë dhunshëm në zyrat e “Charlie Hebdo”, dhe shtien me armë zjarri duke vrarë redaktoren Stephane Charbonnier, e njohur si Charb, katër karikaturistë tjerë përfshirë Cabun, dy kolumnistë, një redaktor të drejtshkrimit, një mysafir që kishte shkuar për një takim dhe një sigurim. Edhe truproja i redaktorit dhe një polic u vranë. 
Teksa policia po i ndiqte dy vëllezërit – të cilët më në fund u vranë – një rrethim tjetër nisi në lindje të Parisit. Amedy Coulibaly, që njihej me vëllezërit Kouachi, vrau një police para se t’i merrte peng disa persona në një supermarket hebre. Ai vrau katër burra hebre më 9 janar para se të qëllohej për vdekje gjatë të shtënave me policinë. 
Në një video-incizim, Coulibaly tha se sulmet u bënë në emër të Shtetit Islamik (ISIS) , transmeton Zeri.info. 

Pse u bë cak “Charlie Hebdo”?

Satira anti-establishment e “Charlie Hebdo” – shakatë me të djathtën ekstreme, dhe me aspekte të katolicizmit, judaizmit e edhe islamit – ka kohë që kishte nxitur kontradikta. 

Por ishte portretizimi i Profetit Muhamed që çoi në kërcënimet me vrasje kundër ekipit redaktues dhe një sulmi me bombë me benzinë në zyrat e tyre më 2011. 

Charb i kishte mbrojtur fuqishëm karikaturat si simbolikë e lirisë së shprehjes. “Nuk i fajësoj myslimanët që nuk qeshin me vizatimet tona”, i kishte thënë AP-së ai më 2012. “Jetoj sipas ligjit francez. Nuk jetoj sipas ligjit të Kuranit”. 

Pas sulmit të vitit 2015, me mijëra persona dolën nëpër rrugë në mbështetje të gazetës dhe hashtagu #JeSuisCharlie (Unë jam Charlie) u bë trend në mbarë botën, transmeton Zeri.info. 

Redaktori menaxhues i revistës, Gerard Biard, i tha BBC-së më 2016 se shfaqja e revistës si një simbol ndërkombëtar kishte sjellë me vete kritika të reja për tonin e saj provokues dhe kontrovers, me më shumë njerëz që bënin thirrje që ajo të kishte më shumë respekt për pikëpamjet – dhe besimet – e të tjerëve.