Ekspozitë për vizitën e senatorëve amerikanë 30 vjet më parë në Kosovë

Ekspozitë për vizitën e senatorëve amerikanë 30 vjet më parë në Kosovë

Kultura August 30, 2020 - 13:38

Në sheshin “Zahir Pajaziti”, është hapur ekspozitë ku u prezantuan fotografi nga vizita e delegacionit të parë të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, para 30 viteve.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelbert Zefaj, tha në se kjo ekspozitë e cila po prezantohet për herë të parë, tregon se për popullin shqiptar filloi një epokë e re.

“Kam nderin që para jush të prezantojmë një ekspozitë të fotografive, të cilat janë fotografi që po ekspozohen për herë të parë, në 30 vjetorin e një ngjarje historike, ku filloi një histori e re për Kosovën dhe popullin e vet. Ishte një ngjarje ku Senatorët e popullit amerikan filluan për të sjell lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit”, ka thënë ai.

Autori i ekspozitës, Hazir Reka, ka thënë se përmes këtyre fotografive, të gjithë e kanë mundësinë të shohin se cëka ka ndodhur para tridhjetë viteve në këtë shesh, raporton televizioni publik.

“Për të gjithë ju që nuk e keni pas rastin me qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, atëherë sot e keni rastin me pa se cëka ndodhi para 30 vitesh në këtë shesh”, ka thënë ai.

Në gusht të vitit 1990, kur Kosova ishte një krahinë administrative në jug të ish-Jugosllavisë, një delegacion prej shtatë senatorëve amerikanë, udhëhequr nga senatori Bob Dole, erdhi në Kosovë në një mision për të mësuar të vërtetën.