Katër vjeçari nënshkruan marrëveshje për botimin e librit të tij
Foto: Picador

Katër vjeçari nënshkruan marrëveshje për botimin e librit të tij

Kultura July 22, 2020 - 18:45

Libri i parë i John Keatsit me poezi u botua kur ishte vetëm 21 vjeç; Mary Shelley ishte 18 vjeçe kur nisi të shkruante Frankensteinin. Por të dy këto arritje të tyre janë mposhtur nga ylli më i ri britanik i poezisë: është ky katërvjeçari Nadim Shamma-Sourgen që sapo ka nënshkruar marrëveshje për botimin e librit të tij të parë.

Vjershat e tij variojnë nga “Coming Home” (“I heqim dorezat / I heqim këpucët / i vendosim ku duhet. / E hiqni ndjenjën tuaj të trimërisë / Sepse s’ke nga çka / Të frikësohesh në shtëpi”) e deri te “Love” (“Të gjithë kanë dashuri / Edhe të këqijtë”), raporton “The Guardian”.

Te vjersha “Love”, poeti i ri eksploron jetën e brendshme të keqbërësve pak më thellë: “Të këqijtë i duan miqtë e tyre të këqij / Madje edhe ata më të këqijtë // Policia mund t’i arrestojë ata / Por ata sërish kanë dashurinë e tyre”.

Nadimi u zbulua nga fituesja e sivjetme e çmimit “Orwell”, poetja dhe mësuesja Kate Clanchy, e cila e takoi nënën e tij, Yasmine Shamma, ligjëruese në letërsi në Universitetin “Reading” përmes një interesi të përbashkët për t’i mësuar refugjatët si të shkruajnë vjersha, transmeton Zeri.info.

Clanchy nisi t’i ndante disa prej vjershave të tij në mediat sociale, dhe Nadimi u intervistua nga “Sunday Times” dhe “Sky News”, gjatë së cilave Kay Burley e qortoi duke i thënë ta hiqte gishtin nga hunda direkt në televizion.

E tani ai i ka nënshkruar një marrëveshje me “Walker Books”, shtëpi kjo botuese që do ta botojë përmbledhjen “mahnitëse” vetën e ardhshme. Shefja ekzekutive e “Walker”, Denise Johnstone-Burt, tha se është “mahnitur që dikush kaq i ri mund të shkruajë vargje aq të ndjeshme”.

“Vjershat flasin për ndjenja aq të rëndësishme, siç janë dashuria dhe vetmia, dhe Nadimi i gjen fjalët më të përkryera”, shtoi ajo. “Janë të thjeshta, inspiruese dhe kanë mençuri të gjitha në vete”.

Clanchy tha se nofka që i ka vënë Nadimit, “Poeti katërvjeçar”, e ka bërë atë të tingëllojë “tepër të parakohshëm”; në të vërtetë, siç sqaroi nëna e tij në “Sky News”, ai ende po mëson të lexojë e shkruajë dhe ai ia dikton vjershat asaj.

Kjo marrëveshje do ta bëjë Nadimin një nga shkrimtarët më të rinj në histori që nënshkruan marrëveshje për botim libri. Sipas Librit të Rekordeve “Guinness”, autorja më e re komerciale e botuar është Dorothy Straight, e cila shkroi “How the World Began” në vitin 1962, në moshën 4 vjeçare. Libri u botua më 1964, kur ajo ishte gjashtë vjeçare. Në “Guinness”, autori mashkull më i ri i botuar rezulton të jetë Thanuwana Serasinghe nga Shri Lanka, i cili ishte katër vjeç e 356 ditë kur botoi librin e tij “Junk Food” më 5 janar, 2017, pasi e shkroi atë për tri ditë, transmeton Zeri.info.

Vetë Nadimi u duk i emocionuar, ndonëse jo edhe aq, për këtë marrëveshje. “Më pëlqen të shkruaj vjersha, veçanërisht për natyrën. Ndjehem i lumtur që poezitë e mia do të jenë në një libër”, tha ai. “Kur të dalin vjershat e mia në libër, a mundem ju lutem ta kem një kopje?”.

Walker konfirmoi se sigurisht që do ta merr një kopje.