Vepra e kompozitorit Mendi Mengjiqi shfaqet në Festivalin e Koresë së Jugut për 250-vjetorin e lindjes së Bethovenit

Vepra e kompozitorit Mendi Mengjiqi shfaqet në Festivalin e Koresë së Jugut për 250-vjetorin e lindjes së Bethovenit

Kultura July 22, 2020 - 11:49

Veprat e artistëve të përzgjedhur botërorë të muzikës klasike do të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar në Seul të Republikës së Koresë (Koreja e Jugut) nga tetori në nëntor të këtij viti për të shënuar 250-vjetorin e lindjes së kompozitorit Ludwig Van Bethoven, e në mesin e veprave që do të shfaqen në këtë festival është edhe një vepër e kompozitorit/profesorit nga Kosova, Mendi Menqjiqi.

Festivali vjetor në Seul mbahet nga 20 tetori deri më 1 nëntor, ndërsa vepra prej 13 minutash e Menqjiqit, e titulluar “Forsaken” (Të braktisurit), do të shfaqet më 30 tetor.

Sipas programit të ditës (http://www.simf.kr/program.html), më 30 tetor, pas veprës së kompozitorit nga Lupçi i Epërm dhe të profesorit në Universitetin e Prishtinës, do të ekzekutohet vepra “Misa Solemnis” (Lutje Solemne) e Bethovenit.

Vepra e Menqjiqit i kushtohet masës së varfër, të vuajtur e të shkelur dhe ajo në një mënyrë është thirrje për shpëtimin e saj.

Për nder të kësaj përmbajtjeje të veprës së kompozitorit Mengjiqi, edhe dita e shfaqjes më 30 tetor është emëruar nga organizatorët koreanë “Salvage of the Forsaken” (Shpëtimi i të Braktisurve).

Menqjiqi veprën e tij të porositur nga organizatorët e Festivalit, e punuar enkas për këtë festival në Seul, pasi e kishte marrë kërkesën për një vepër të re për nga vetë koreanët qysh vitin e kaluar.

Vepra në fjalë të Menqjiqit dhe ajo e Bethovenit do të ekzekutohet nga orkestra simfonike SIMF e Koresë së Jugut, e dirigjuar nga Hogeun Yoon.

Është kjo hera e parë që një kompozitor i rajonit të Ballkanit Perëndimor ftohet në këtë festival tashmë 12-vjeçar dhe është pikërisht kompozitori shqiptar nga Kosova, Menqjiqi, i ftuari i cili me punën e tij tashmë mbi 20-vjeçare në muzikë klasike e ka tërhequr vëmendjen e organizatorëve botërorë, e tash edhe në Kore të Jugut.

“Dtt-net.com” mëson se kompozitori Menqjiqi do të jetë edhe personalisht pjesëmarrës në festivalin në fjalë në Seul, i ftuar dhe i kontraktuar nga organizatorët.

Në po të njëjtin festival më 23 tetor do të ekzekutohet edhe vepra «Ciaccona» e ish-profesorit dhe mikut të ngushtë të Menqjiqit gjatë studimeve në Krakow të Polonisë në vitet e ’90-ta Krzysztof Penderecki, i cili ka ndërruar jetë në mars të këtij viti. Menqjiqi ndërkohë është duke edhe punuar në një vepër tjetër kushtuar profesorit Penderecki, mëson “Dtt-net.com”. /dtt-net.com