Infektohen me koronavirus edhe disa zyrtarë të MKRS-së
Foto: Laura Hasani

Infektohen me koronavirus edhe disa zyrtarë të MKRS-së

Kultura July 08, 2020 - 15:57

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar përmes një komunikate për media se disa zyrtarë të kësaj ministrie janë infektuar me COVID-19.

“Përmes këtij njoftimi gjithashtu duam të informojmë qytetarët se disa zyrtarë të Ministrisë janë të prekur me COVID-19, por të gjithë janë mirë me shëndet dhe në izolim, duke respektuar në përpikëri masat dhe sugjerimet e institucioneve shëndetësore. MKRS-ja është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera shëndetësore për hapat e mëtejmë që duhen ndërmarrë”, thuhet në komunikatë.

MKRS-ja ka apeluar te personat që kanë kontakt me këtë ministri t’i respektojnë masat mbrojtëse nga infektimi.

“I sigurojmë të gjithë qytetarët që situata është tërësisht nën kontroll dhe u bëjmë thirrje palëve që në çfarëdo mënyre kanë kontakte me MKRS-në të respektojnë masat mbrojtëse dhe të kenë mirëkuptimin për shërbimet eventuale nëse ato janë me vonesë”.

MKRS-ja ka kërkuar nga të gjithë ata të cilët kanë raporte ose obligime me Ministrinë t’i kryejnë online.

Përndryshe, nëse patjetër e kanë të vizitojnë MKRS-në, atëherë janë të obliguar t’i respektojnë masat dhe të përdorin mjetet mbrojtëse nga infektimi, përcjell “Zëri.info”.