“Variety” shkruan për filmin e regjisores Dea Gjinovci, “Wake up on Mars”
Foto: Amok Films

“Variety” shkruan për filmin e regjisores Dea Gjinovci, “Wake up on Mars”

Kultura June 24, 2020 - 13:57

Dea Gjinovci, regjisorja zvicerano-shqiptare, në dokumentarin e saj të metrazhit të gjatë, “Wake up on Mars”, shqyrton gjendjen e një familjeje refugjatësh kosovarë në Suedi, dy vajzat e së cilës janë prekur nga “sindromi i dorëheqjes”.

“Sindroma disociuese” duket se i prek kryesisht fëmijët e traumatizuar nga migracioni i detyruar, shpesh për shkak të luftërave ose rrethanave kërcënuese për jetën, dhe që e gjejnë veten në gjendje të pasigurisë në lidhje me statusin e tyre në një vend të ri, raporton revista “Variety”.

Gjinovci për herë të parë dëgjoi për “sindromin e dorëheqjes” nga një artikull i “The New Yorker” i vitit 2017 që përqendrohej në disa familje refugjatësh në Suedi dhe te fëmijët e tyre që vuajnë nga kjo sëmundje. Pasi që edhe prindërit e saj janë gjithashtu nga Ballkani, nga Kosova dhe Shqipëria, ajo ishte shumë kureshtare për të ditur më shumë për ta, dhe arriti të kontaktojë njërën nga familjet e portretizuara në artikull, transmeton Zeri.info.

Pasi që udhëtoi për në Suedi për të takuar familjen, që i kishin edhe dy djem, Gjinovci thotë se “thjesht më erdhi ideja”.

“Ishte një moment në jetën e tyre kur ata vërtet kishin nevojë të flisnin me dikë që dinte kulturën dhe gjuhën e tyre, dhe që mund t'i ndihmonte ata dhe të deshifronte se çfarë po ndodhte me procesin e azilit të tyre. Ata u treguan shumë të hapur për të rrëfyer historinë e tyre me mua”, thotë Gjinovci në një intervistë për revistën e mirënjohur “Variety”.

Filmi i saj jo vetëm që shqyrton betejat e familjes për t’u ballafaquar me gjendjen e vajzave teksa kërkojnë azilin, por përqendrohet edhe në djalin e tyre më të vogël, Furkhanin, i cili ëndërron për udhëtimin në hapësirë dhe ndërtimin e një anijeje kozmike (të cilën, me ndihmën e filmbërëses, ai arrin ta bëjë).

Gjinovci kaloi një vit e gjysmë duke xhiruar dokumentarin gjatë disa udhëtimeve në Suedi dhe një vit tjetër me montim dhe post-produksion. Filmi, i cili po shitet ndërkombëtarisht nga “Cat & Docs” me qendër në Paris, poashtu u zgjodh për pjesëmarrje në Festivalin e Filmit të këtij viti në Tribeca, në “Vision du Réel” të Zvicrës, në Festivalin “Biografilm” të Italisë, ku fitoi një mirënjohje të veçantë në kategorinë “Talenteve të Reja”, dhe në festivalin “Underhill Fest” në Mal të Zi.

Gjatë realizimit të filmit, Gjinovci krijoi një lidhje të fortë personale me familjen e cila ende mbetet e fuqishme. “Kur shkoni në këto familjesh që janë goxha të cenueshme, që mbështeten shumë në sistemin e imigrimit të cilin nuk e kuptojnë, dhe janë gjithmonë në pritje të një përgjigjeje, janë gjithmonë në pritje të diçkaje, duhet të jeni shumë besnik, tërësor dhe i drejtpërdrejtë edhe me veten”, transmeton Zeri.info.

Gjinovci thotë se ishte shumë e rëndësishme që të ishte konsistente dhe transparente, dhe thekson se gjuha e tyre e përbashkët luajti rol të madh në vendimin për ta bërë filmin.

“Kur u thash se po vi për të xhiruar, se do të kthehesha në nëntor ose janar, mu desh të kthehesha – ishte shumë e rëndësishme”.

“Kishim shumë biseda. Nuk mendoj se do të mund ta realizoja këtë film nëse nuk do të flisja shqip me ta. Mendoj se kjo vërtet më mundësoi të shkoj përtej rolit të regjisorit e të bëhem dikush që mundet thjesht të dëgjoj jashtë xhirimit dhe të sigurohesha se ata vërtet më besonin dhe besonin se unë e kuptoja situatën e tyre... ka të bëjë shumë me ndërtimin e një marrëdhënieje që shkon përtej thjesht një karakteri dhe një producenti për të këtë lloj intimiteti”.

Për Gjinovcin, që u rrit në Zvicër, filmi “Wake Up on Mars” është puna e saj e dytë që përqendrohet në përvojat e kosovarëve refugjatë. Në filmin e saj të shkurtër “Sans le Kosovo” të vitit 2017, me të cilin edhe fitoi çmim, ajo shpjegonte rrugën që e bëri babai i saj në kohen kur u largua nga Kosova në vitet ‘70 dhe gjeti rrugën për në Zvicër, gjatë së cilës kohë ai kaloi disa vjet në kampe refugjatësh në Itali.

“Është e qartë se historia e Kosovës ishte brutale. U rrita me këtë imazh të Kosovës që e shihja në lajme dhe me atë që i ndodhi familjes sime, anëtarë të familjes së babait tim u vranë gjatë luftës, trauma e të lënit familjen prapa – e gjithë kjo është pjesë e historisë sime personale dhe e historisë së ndërlikuar te Ballkanit ”.

Gjinovci shtoi, “Gjithmonë kam qenë e interesuar dhe e ndikuar në historinë time personale të ekzilit dhe e dëshirës që të përkas në një shoqëri të re, dhe se si mund të adoptoheni apo të refuzoheni. Sindromi i dorëheqjes është një lloj shprehje ekstreme e refuzimit”.

Veç festivaleve në ardhje, Gjinovci po punon edhe me OJQ dhe shoqata në Francë, Zvicër e SHBA për të organizuar shfaqje për komunitetin që ka për synim krijimin e vetëdijes dhe dialogut për gjendjen e fëmijëve refugjatë si dhe për sindromin e dorëheqjes, përcjell Zeri.info.

Ajo jeton dhe punon në Gjenevë dhe Paris, ku drejton kompaninë “Amok Films” me partnerin producent Antoine Goldet. Aktualisht është duke e zhvilluar edhe një projekt tjetër me një kompani zvicerane të produksionit në lidhje me fëmijët refugjatë dhe pas kësaj shpreson të kalojë në ‘fiction’.

Përmes “Amok Films”, Gjinovci është duke prodhuar edhe dy dokumentarë tjerë, “In the Heat of the Cold Years”, me regji te Darius Kaufmann dhe Eytan Jan, për dekadën e artë të kinemasë kubane nga viti 1959 deri më 1969, dhe një projekt të drejtuar nga Goldet që zhvillohet në Bregun Perëndimor.