Vdes në moshën 103-vjeçare këngëtarja britanike, Vera Lynn

Vdes në moshën 103-vjeçare këngëtarja britanike, Vera Lynn

Kultura June 18, 2020 - 14:07

Njëra nga argëtueset më të dashura të Britanisë, zëri i së cilës e bashkoi Britaninë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka vdekur.

Dame Vera Lynn, kënga e së cilës “We’ll Meet Again” ishte bërë një himn shprese dhe rezistence gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka vdekur në moshën 103-vjeçare, raporton “The Guardian”.

Familja e saj ka njoftuar për vdekjen e saj, pranë së cilës edhe ishin në momentet e fundit në shtëpinë e saj në East Sussex, transmeton “Zeri.info”.

Kryeministri britanik tha se bukuria dhe zëri magjik i Dame Vera Lynn lartësoi Britaninë në disa nga orët më të errëta.

“Zëri i saj do të jetojë për të ngritur zemrat e brezave që do të vijnë”, theksoi ai.

Politikania laburiste Angela Rayner e quajti Lynnin “një person të bukur, e cila do t’u mungojë të gjithëve që e njohën atë”.

E lindur në East Ham, në periferi të Londrës, në 1917-n, Lynn i mbijetoi një rasti gati fatal të difterisë si dyvjeçare dhe filloi të performojë me shtatë vjet. Që në moshën 18-vjeçare ajo filloi të punojë me orkestër në Mbretërinë e Bashkuar dhe lansoi debutimin e saj “Up the Wooden Hill” në Bedfordshire, në 1936-n, ndërsa punoi edhe në një kompani të anijeve në East End.

Popullariteti i Lynnit gjatë kohës së luftës u rrit me këngën e saj “We’ll meet again”, e lëshuar më 1939-n dhe e shkruar nga Ross Parker dhe Hughie Charles. Ajo u fut përsëri në top-listat e Mbretërisë së Bashkuar këtë vit dhe u rendit në vendin e 55-të mes festimeve të 75-vjetorit të Ditës VE (Fitores në Evropë). Ajo u përdor gjithashtu - me ironi të rëndë - nga regjisori Stanley Kubrick në kulmin e satirës së tij të Luftës së Ftohtë, “Dr Strangelove”.